Gazetar: Mihaillo Donev
Dhunuesit që sulmuan ekipin e televizionit Alsat ndërsa po raportonim nga terreni për zjarr në një depo, morën kallëzim penal nga Prokuroria Themelore Publike për rrezikim të mjedisit përmes djegies së materie të mbetjeve. Bëhet fjalë për kallëzime penale kundër pronares dhe pronarit joformal të kompanisë “ASD METAL GRUP” Aleksandar Nikollçev, për të cilët prokuroria konstatoi se kishin ruajtur skrap në kompaninë në Vizbeg për një periudhë të gjatë kohore pa pasur leje për këtë.
“Në një periudhë të gjatë kohore, në kundërshtim me dispozitat ligjore, ata kanë ruajtur sasi të madhe skrapi, mbetje elektronike dhe pjesë të automjeteve të vjetra si dhe sende të tjera, në lokacion për të cilin nuk kanë pasur leje të duhur për menaxhimin e mbetjeve. Kur shpërtheu zjarri më 9 korrik, djegia e materialit lëshoi tym, hi dhe gazra të dëmshëm në ajër, duke paraqitur kërcënim për jetën dhe shëndetin e njerëzve në masë të gjerë”, thonë nga PTHP.
Prokuroria gjithashtu thotë se është siguruar sasi e madhe e provave për lëshimin e substancave të dëmshme në ajër kurse në periudhën e ardhshme do të merren në pyetje më shumë persona.
“Inspektorati Shtetëror i Mjedisit gjithashtu kreu inspektim të jashtëzakonshëm në lokacion, me çrast u konstatuan parregullsi në punë kurse procesverbali iu dorëzua prokurorisë. Prokurori publik përkatës do të vazhdojë të ndërmarrë veprime në periudhën e ardhshme, gjatë së cilës do të marrë në pyetje disa persona dhe do të urdhërojë ekspertizë të përshtatshme për hetim të plotë të ngjarjes”, shtuan nga PTHP.
Nikollçev dhe gruaja që paraqitet si pronare, përkatësisht bashkëshortja e tij, sulmuan fizikisht dhe verbalisht ekipin e TV Alsat më 9 korrik, derisa kolegët po raportonin për një zjarr, tymi i të cilit mund të shihej nga çdo pjesë e qytetit. Pas këtij sulmi, Nikollçev dhe gruaja e tij u ndaluan. Aleksandar Nikollçev me prejardhje nga Velesi është person me të kaluar kriminale, i njohur për organet e rendit, ndërsa në vitin 2013 u arrestua dhe u dënua si pjesë e një grupi që punonte për “Mafian e Frankfurtit”. /Alsat.mk
The post Pronarët e kompanisë “ASD METAL GRUP” në Vizbeg kanë ruajtur skrap në lokacion për të cilin nuk kanë pasur leje appeared first on Alsat.
