Luigi Di Biagio, aktualisht trajner i kombëtares U-23 të Arabisë Saudite, ishte i ftuar në studiot e “Sky Sport”. Ndër temat e diskutuara ishte edhe kalimi i mundshëm i Dusan Vlahovic te Milani: “Për atë që është krijuar ndër vite, mendoj se është më mirë që ai të mos qëndrojë te Juve.
Personalisht e shoh si një lojtar të jashtëzakonshëm, me potencial ndoshta ende të paplotësuar. Pritej më shumë prej tij, ndaj mendoj se në fund do të largohet nga Juventusi. Kushdo që e merr, do të bëjë një goditje të madhe. Paga e serbit është e lartë, por ai është një djalë i lindur në vitin 2000 dhe mund të shpërthejë përfundimisht”.
Në Firence dukej një lojtar i jashtëzakonshëm…
Në bazë të gjithçkaje qëndron ajo për të cilën është paguar dhe paga e tij. Vlerësimi i një lojtari varet nga këto gjëra. Në Firence theksohen gjërat pozitive, por fanella e Juventusit peshon shumë.
Me Motta nuk funksionoi…
Unë mendoj se një trajner duhet të vihet në shërbim të lojtarëve, të shfrytëzojë karakteristikat e tyre. Thiago Motta kërkonte një lloj pune, që mendonte se Vlahovic mund ta bënte, por pati vështirësi. Megjithatë, kthehemi tek ajo që thashë: nëse nuk paguhet 10 milionë, por 2 milionë euro në vit, vlerësimet për të nga tifozët do të ishin krejt të tjera.
Çfarë mendimi ke për Jonathan David?
Është ndryshe. Edhe ai është një lojtar që sulmon hapësirat dhe ka bërë rrugën e tij. Sidoqoftë, kur vjen te Juve, gjithçka ndryshon.

David: Ja pse e zgjodha Juventusin, dua “të flas” më mirë me gola se fjalë
Në shtëpinë e Juventusit, e mërkura ishte dita e Jonathan David. Pas zyrtarizimit më 4 korrik, sulmuesi kanadez foli për herë të parë në një konferencë shtypi si lojtar i bardhezinjve. Pas përfundimit të fazës përgatitore me “Zonjën e Vjetër”, nën drejtimin e trajnerit Tudor, për ish-sulmuesin e Lille erdhi momenti të fliste për zgjedhjen e bërë dhe objektivat e tij me fanellën e Juventusit, pas deklaratave të para të dhëna për mediat e klubit.
Emocionet e para me fanellën e Juventusit…
Sigurisht që është një emocion i madh të jesh pjesë e Juventusit, java e parë shkoi mirë dhe shokët e skuadrës më ndihmuan shumë.
Pse zgjodhe Juventusin?
Kemi pasur disa biseda me drejtuesit, për mua ishte e rëndësishme të flisja edhe me disa lojtarë. Kishte interes të madh ndaj meje dhe e doja shumë këtë klub.
Impresionet e para dhe udhëzimet nga Tudor…
Diskutimi me trajnerin ishte shumë pozitiv. Jam i ri këtu dhe më pyeti për pritshmëritë e mia. Trajneri më tregoi çfarë pret prej meje si qendërsulmues, duke ditur që jam një lojtar që marr iniciativën. Detyra ime është të shënoj.
Keni shënuar mbi 25 gola në 3 sezonet e fundit, çfarë objektivash ke te Juventusi?
Mendoj se kam pasur vazhdimësi në vitet e fundit. E di që Serie A është më taktike dhe më mbrojtëse, por sfidat janë për të gjithë. Duhet të punoj fort, por besoj se do t’ia dal.
A keni idhuj bardhezinj?
Juventusi ka pasur shumë legjenda si Ronaldo, Dybala, Del Piero, Trezeguet…, nuk mund t’i përmend të gjithë.
Pse zgjodhe Serie A dhe jo Premier League?
Nisa të luaj futboll sepse babai im luante. Ishte gjëja e parë që bëja gjithmonë. Të gjitha kampionatet kanë sfidat e tyre. Zgjodha Juventusin sepse ishte skuadra që doja.
Cilët janë idhujt e tu të fëmijërisë dhe sulmuesit e preferuar sot?
Kur isha i vogël, idhujt e mi ishin Drogba dhe Eto’o. Sot ka shumë sulmues të mirë.
Sekreti yt është kultura e punës…
Të gjithë kanë ambicie të mëdha. Te Lille, shumë vazhdonim të stërviteshim edhe pas seancës. Jam shumë fetar dhe për të qenë profesionist duhet besim.
Numri i fanellës?
Kam zgjedhur numrin 30, sepse është dita e lindjes së babait tim. Është një mesazh i bukur.
A ka kushte për t’u rikthyer në majë me Juventusin?
Çdo vit mund të jetë ai i duhuri. Kampionati është i vështirë, por duhet ambicie për të shkuar deri në fund.
Cili është kuptimi i pseudonimit tuaj ‘Ice Man’ (njeriu i akullt)?
Më quajnë kështu, sepse jam shumë i qetë. Kjo ftohtësi më ndihmon në situata me presion. Qetësia dhe përqendrimi janë të rëndësishme.
A luan më mirë si sulmues i vetëm apo me Vlahovic?
Jemi duke punuar në aspektin taktik. Për momentin po më përdorin si sulmues i parë, por gjithçka varet nga trajneri.
A do të jesh titullar?
Nuk ka asnjë garanci. Duhet të luash dhe të bësh punën tënde. Nuk pres të jem gjithmonë titullar, por do të jap më të mirën.
Nuk ju mungon dëshira për të fituar…
Jam shumë kompetitiv. Si çdo golashënues, dua të shënoj sa më shumë, sepse ky është qëllimi i futbollit.
Sa mund të ndihmojë Juventusi në rritjen tënde dhe objektiva si “Topi i Artë”?
Nuk mendoj për “Topin e Artë”. E zgjodha këtë klub për ambiciet që ka. Dua të punoj për ekipin dhe të bëhem një nga golashënuesit më të mirë në botë.
A jeni gati për aventurën bardhezi?
Erdha pikërisht për këtë. E di çfarë kërkon klubi dhe jam gati t’i përmbush kërkesat.
The post “Te Vlahovic ndikojnë kostot. David? Fanella e Juventusit ndryshon nga të gjitha” appeared first on Telesport.
