Gazetar: Suad Bajrami
Këto janë pamjet dramatike nga arrestimi i dy shtetasve të Kosovës në qarkoren e Vizbegut, të cilët pas ndjekjes filmike disa orëshe janë kapur me makinën e tyre Volksvagen Caddy, me të cilën po transportonin 8 emigrantë. Të shtënat që dëgjohen nga situata e mbrëmshme e tensionuar, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë nga hapja e zjarrit e autoriteteve policore me qëllim të paralajmërimit, por që nuk kanë shkaktuar lëndim. Sipas informacioneve të Alsat, të arrestuarit janë 25-vjeçari Granit Luri dhe 19-vjeçari Blend Luri.
Vetura Volksvagen “Caddy” fillimisht është vërejtur në ora 21:40 në duke lëvizur në drejtimin Gradsko-Shkup, por pas sinjalit të policisë për të ndaluar, shoferi nuk ka ndaluar. Zyrtarët policorë menjëherë kanë lajmëruar rastin në radiolidhje, ndërsa policia është mobliziuar për të bllokuar të gjitha udhëkryqet. Megjithatë, gjatë arratisjes nga policia, shoferi ka thyer dy rampa dhe ka dëmtuar një veturë dhe një motoçikletë.
“Derisa ka ikur nga patrullat policore, shoferi e ka dëmtuar pikën pagesore në Gradsko, në Katllanovë ka goditur një automjet “Opel Insignia” me targa të huaja dhe ka dëmtuar një motoçikletë me targa të Maqedonisë. Më pas e ka dëmtuar edhe rampën e pikës pagesore Petrovec”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit të policisë, automjeti ka vazhduar drejt Shkupit, në drejtim të unazës “Nëna Terezë” drejt Ormanit, ndërsa te kryqëzimi i Prishtinës ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
“Pas kësaj shoferi fizikisht ka sulmuar një zyrtar policor, por në tentim për t’u arratisur është kapur dhe privuar nga liria”, thuhet në njoftimin policor.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se të arrestuarit janë mbajtur në stacion policor, pas çka do të dorëzohet kallëzim përkatës penal. Ndërsa emigrantët e kapur, janë dërguar në Qendrën Transitore për procedurë të mëtutjeshme. /Alsat.mk
The post Ndjekje si në filma në autostradë, arrestohen dy të rinj nga Kosova appeared first on Alsat.
