Në shtëpinë kuqezi, dje ishte dita e Luka Modric. Mesfushori kroat, i ardhur me parametër zero nga Real Madridi, ka firmosur kontratë 1-vjeçare dhe është prezantuar për herë të parë para tifozëve dhe mediave. Ai është shfaqur i vendosur dhe me synime të qarta për sezonin e ri me Milanin:
“Nuk kam pasur asnjë dyshim për këtë zgjedhje. Kam folur me Ancelottin dhe Ibrën, por vendimi ishte marrë. Milani është një nga klubet më të mëdhenj në botë. Kualifikimi në Champions është minimumi, nuk mund të kënaqemi me një sezon mesatar. Jam këtu për të fituar trofe me këtë fanellë”.
Për trajnerin Allegri: “Është një nga më të mirët, fitues. Jam shumë kurioz të kuptoj se si më sheh në fushë”.
Kur u pyet nëse kjo do të jetë “vallja e fundit” e tij si futbollist, kroati u përgjigj: “Është shumë herët për të folur për të ardhmen. Tani dua të përqendrohem tek e tashmja dhe të jap maksimumin. Një lojtar, pa marrë parasysh emrin, nuk mund ta bëjë diferencën i vetëm. Duhet të krijojmë një skuadër të fortë, që ndihmon çdo individ të japë më të mirën”.

Ja pikat kryesore nga konferenca e Modric si lojtar kuqezi:
Forma fizike dhe përshtypjet e para: “Pata tri javë pushim, por u stërvita për të qenë në formë optimale. Kam parë ndeshjet ndaj Arsenalit dhe Liverpool-it, konstatova gjëra pozitive. Jam gati për t’u bashkuar me grupin”.
Lidhja me Milanin që fëmijë: “Milani ka qenë skuadra ime e preferuar në fëmijëri. E ndiqja shpesh, sepse ishte shumë i ndjekur në Kroaci. Boban ka qenë idhulli im. Kam pasur gjithmonë një dashuri të veçantë për këto ngjyra”.
Çfarë sjell Modric te Milani: “Përvojën, profesionalizmin dhe dëshirën për të ndihmuar. E di që ka shumë pritshmëri, por jam gati për këtë sfidë”.

Për Serie A: “E ndjek prej vitesh. Është rikthyer në nivele shumë të larta. Është kampionat i fortë dhe taktikisht shumë i zhvilluar. Duhet të përshtatem shpejt”.
Bisedat me Boban, Ibra, Ancelotti: “Nuk kam folur me Boban për transferimin, por kemi një marrëdhënie të mirë. Me Ibrën u takova dhe më foli për Milanin. Edhe Ancelotti më foli shumë mirë për klubin, por unë tashmë e kisha vendosur”.
Për Allegri dhe finalen e 2017-ës: “Nuk do t’ia përmend atë ndeshje, se s’dua të më mërzitet (qesh). Kam folur me të dhe mezi pres të kuptoj si më sheh në fushë”.
Roli i tij në fushë: “Të gjithë e dinë ku ndihem më mirë, në qendër të mesfushës, për të diktuar ritmin. Sidoqoftë do të flas me Allegrin dhe do të përshtatem. Skuadra është prioritet”.

Përshtypjet për grupin: “Milani ka shumë lojtarë cilësorë. Nuk dua të flas për individë, por grupi më duket shumë i bashkuar dhe ambienti është pozitiv”.
Reagimi pas vendit të 8-të, sezonin e kaluar: “Duket që nuk shkoi mirë, por duhet të mësojmë nga kjo. Kur pashë Milanin kundër nesh në ‘Bernabeu’, sezonin e kaluar, luajti shumë mirë. Duhet të arrijmë atë nivel”.
Mesazhi i Rakitic: “Ivan më dërgoi një mesazh shumë të bukur. E çmoj shumë. Unë jam i lumtur që ndodhem këtu. Nuk e marr asgjë si të mirëqenë. Nuk e shoh veten si të veçantë, jam thjesht Luka Modric, një djalë që do të luajë futboll dhe që ka fatin të luajë për një klub si Milani”.
Për Gallianin dhe rikthimin e mundshëm të tij: “Nuk kam folur me të, por e di çfarë ka bërë për Milanin. Ka qenë pjesë e historisë me Berlusconin. Ka qenë një epokë e jashtëzakonshme”.

The post Modric “bën me krahë” Milanin: Jam këtu për të fituar trofe, kthimi në Champions-i është minimumi appeared first on Telesport.
