Gazetare: Melihate Rustemi
Në vitin e ri shkollor procesin mësimor do ta ndjekin edhe fëmijët e prekur me sëmundje më të rënda ndërkohë që trajtimi i tyre zgjatë më shumë se tre javë, shkruan Alsat.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se këto fëmijë mësimin do ta realizojnë përmes formës online duke i përfshirë në orën mësimore ose përmes komunikimit verbal me mësimdhënësin paraprakisht të caktuar për atë fëmijë.
“Kjo do të realizohet në dy mënyra. E sinkronizuar me mësim online kur këto fëmijë do të përfshihen në mësim në klasën e tyre me mësuesit për të përvetësuar njohuritë e nevojshme ose në mënyrë asinkrone sepse fëmijët nuk mund të jenë të pranishëm në orën e tyre në çdo kohë. Së bashku me mësuesin që do të caktohet për këtë, ata do të marrin trajtim të veçantë, domethënë arsim special, qoftë me detyra shtëpie, mësim të njësive mësimore, sigurisht me komunikim verbal nga mësuesi”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Aktualisht, në Klinikën e Fëmijëve në Shkup ndodhen rreth 20 fëmijë që vuajnë nga sëmundjet malinje. Trajtimi për këta fëmijë zgjatë deri në dy vjet. Gjashtë muajt e parë ata duhet të qëndrojnë në spital.
“Përfshirja e fëmijëve nga spitali në arsimin formal do të thotë gjysma e shëndetit sepse shëndeti i mirë mendor te ata pacient të rinj do të thotë që ata shumë më lehtë dhe më të motivuar do ta kalojnë rrugën e trajtimit afatgjatë”, u shpreh Rexhep Memedi, drejtor i Klinikës së Fëmijëve.
Përveç mësimit nga distanca, në Klinikën e Fëmijëve në Shkup do të punësohen edhe pedagogë dhe psikologë. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se angazhimi i këtij kuadri do tu ndihmoj fëmijëve t’i absorbojnë më lehtë materialet multimediale.
“Ramë dakord që përveç infrastrukturës dhe materialeve multimediale ne të kemi edhe…të bëjmë një qasje të re që të punësojmë edhe pedagog dhe psikolog me qëllim që të munden këto fëmijë përveç infrastrukturës teknologjike dhe administrative të kenë në krahë edhe ekspert të cilët do të jenë të trajnuar me të vetmin qëllim që të mund tu ndihmojnë këtyre fëmijëve që ti absorbojnë më lehtë këto materiale multimediale”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Iniciator për zbatimin e Arsimit formal në institucionet shëndetësore është Organizata “SANO” e cila tashmë disa vite vlerëson se mospërfshirja e këtyre fëmijëve në mësim paraqet diskriminim serioz. Nga MASH thanë se do të bëjnë përpjekje që Arsimi fillor formal të jetë i disponueshëm edhe për nxënësit që po rehabilitohen pas lëndimeve në zjarri në Koçan./ Alsat.mk
The post Procesin mësimor në vitin e ri shkollor do ta ndjekin edhe fëmijët e prekur me sëmundje më të rënda që trajtimin e kanë më të gjatë në Spital appeared first on Alsat.
