Gazetar: Suad Bajrami
Partia Demokratike Turke nuk ka vendim të prerë nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit Fronti Evropian, në të cilën përfaqësohet në Kuvend me një deputet. Lëvizjet e fundit në bllokun politik shqiptar kanë krijuar hapësirë që partnerët të rishqyrtojnë pozicionet brenda koalicionit.
Lideri i ri PDT-së Zylfiqar Zejnullah në një intervistë me shkrim për “Timebalkan” thekson se vendimi i tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2024 nën ombrellën e Frontit Evropian është marrë në përputhje me kushtet politike të asaj kohe dhe interesat e turqve, ndërsa sipas tij, sot ka një fazë të re. I pyetur nëse do të ketë ndryshim në koalicion, Zejnullah përgjigjet:
“Ne nuk kemi qëndrim të mbyllur për këtë çështje. Ajo që ka rëndësi për ne është të sigurojmë mbrojtjen më të mirë të mundshme të të drejtave dhe interesave të shoqërisë turke. Ne ndjekim parime, jo koalicione”.
Në Kuvendin e partisë që do të mbahet të enjten, partia pritet të ketë një vendim më të qartë se si do të garojë në zgjedhjet lokale.
Në një bisedë joformale me deputetin e kësaj partie në koalicionin Fronti Evropian, Bejxhan Iljaz, ai theksoi se për çdo hap rreth veprimeve politike qëndrim duhet të merr partia, ndërsa ai, do të respektojë çfarëdo vendimi që do të merret, qoftë edhe largimi nga koalicioni.
Turbulencat në Frontin Evropian, mbase duket të jenë shkaktuar edhe për shkak të rikonfigurimit dhe ribrendimit të këtij koalicioni në Front Kombëtar, duke ndryshuar prej karakterit multietnik në atë etnik. Plotësisht, me marrëveshjen për bashkëpunim me Arben Taravarin, koalicioni përflitet se do të merr emër krejtësisht të ri – Aleanca Kombëtare për Integrim, një simbiozë mes emrave të partive kryesore të frontit BDI dhe ASH.
Pavarësisht deklaratës së Zejnullah, nga BDI deklarojnë PDT nuk do të largohet nga koalicioni, por që bëhet fjalë për mënyrën se si ata tradicionalisht garojnë në zgjedhje lokale, respektivisht dalin vetëm.
“Jo aspak nuk bëhet fjalë për largim nga Fronti Evropian. Tradicionalisht, pavarësisht se Partia Demokratike Turke ka qenë në koalicion edhe më herët me parti tjera, tradicionalisht ata garojnë vetë në zgjedhje lokale. Pra bëhet fjalë për zgjedhje lokale, ku ata vazhdojnë me traditën e tyre për të garuar të vetëm në të njëjtat”, tha Arbër Ademi, BDI.
BDI me PDT-në kanë firmosur marrëveshje koalicioni në mars të vitit 2024, ndërsa si rezultat i këtij bashkëpunimi lideri i atëhershëm i partisë Bejxhan Iljaz, u bë deputet në Kuvend. Në opinion disa herë është spekuluar se PDT do t’i bashkëngjitet shumicës parlamentare, edhe pse të njëjtat janë demantuar nga zyrtarët e PDT-së./ Alsat.mk
The post A do të vazhdojnë bashkëpunimin me Frontin Evropian, Partia Demokratike Turke? appeared first on Alsat.
