Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë se është anuluar procedura e tenderimit për furnizim me targa me ngjyrë, të dedikuara për automjetet zyrtare, përcjell TV21. Nga MPB thonë se pavarësisht kësaj, furnizimi me targa të posaçme me ngjyrë do të bëhet sipas Marrëveshjes Kornizë aktuale me operatorin ekonomik “Kvantum” – Shkup.

“Ka përfunduar vlerësimi i procedurës për furnizimin me targa me ngjyra të destinuara për automjetet zyrtare dhe është marrë Vendimi për anulimin e procedurës, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurime Publike, për çka vijon afati për ankesë. Ndryshe, bëhet fjalë për një tender të rregullt për targa, në të cilin përfshihen edhe targat për automjetet zyrtare. Furnizimi me targa me ngjyra të destinuara për automjetet zyrtare do të realizohet në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes Kornizë aktuale me operatorin ekonomik “Kvantum” – Shkup dhe kontratën e nënshkruar për porosi, brenda afateve të përcaktuara me ligj”, thonë nga MPB për TV21.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur që të gjitha automjetet zyrtare të pajisen me targa speciale me ngjyrë, me shumë gjasa të kuqe, deri më 15 shtator 2025, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e abuzimeve. Gjithashtu, do të krijohet një regjistër i posaçëm i automjeteve shtetërore, i cili do të mundësojë evidencë të saktë për vendndodhjen dhe përdorimin e çdo automjeti zyrtar.