Deri në orën 12 të ditës së sotme, në vend janë regjistruar gjashtë vatra zjarri në hapësira të hapura, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza. Dy prej tyre vazhdojnë të jenë aktive në Parkun Nacional “Jasen” dhe një tjetër në fshatin Krapë, komuna e Makedonski Brodit. Dy vatra të tjera, në Kriva Pallankë dhe në Kumanovë, janë vënë nën kontroll nga ekipet zjarrfikëse. Ndërkaq, janë shuar plotësisht dy zjarre: njëri në Komunën Çeshinovë-Obleshevë, dhe tjetri mes fshatrave Çellopek e Miokazë në Komunën e Kërçovës.
“Më i vështiri për t’u fikur është zjarri që tashmë disa ditë po digjet në territorin e Makedonski Brodit në terrenin për gjueti “Jasen”. Ky zjarr është tashmë disa ditë aktiv edhe pse ditëve të fundit u vu nën kontroll të plotë, në disa momente edhe tërësisht i fikur, por për shkak të terrenit shumë të vështirë për ta fikur, disa degë të tij sërish u zgjuan, andaj sot është riaktivizuar dhe përfshin sipërfaqe të madhe. Mbi të po veprojnë dy helikopterë të policisë dhe një i ushtrisë, ndërsa nga toka për fikje po marrin pjesë 15 anëtarë të njësiteve speciale të MPB-së, e këtyre më vonë iu bashkëngjitën edhe 26 anëtarë të njësiteve speciale të ushtrisë”, tha Stojançe Angelov, Drejtor i DMSH.
