Teknologjia dhe natyra mund të bashkëjetojnë, nëse rregullat janë të qarta dhe ka kontroll të përshtatshëm
Imagjinoni një shpat alpine përgjatë së cilës rrjedh një lumë, e më poshtë, në breg, qëndron një tabelë informuese në të cilën shkruhet se ujin e përdor një hidrocentral i vogël, e “huazon” dhe e kthen përsëri. Kjo është një situatë shumë reale nëse merret parasysh që rreth 6.409 hidrocentrale të vogla ose 21 përqind e mbi 21 mijë hidrocentraleve në Evropë ndodhen në zona të mbrojtura. Këto hidrocentrale punojnë sipas rregullave strikte që mundësojnë mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe jetës në lumenj. Për shembull, kur prurja e ujit në shtratin e lumit bie nën minimumin biologjik, turbinat ndalojnë. Pikërisht kjo pamje zbulon një arsye të rëndësishme pse BE ka një qëndrim pozitiv ndaj ndërtimit të hidrocentraleve të vogla.
Numri më i madh i këtyre hidrocentraleve të vogla (HVE) ndodhet nga zonat e parqeve kombëtare në Alpe deri te rajonet “Natura 2000” në Skandinavi. Këto zona konsiderohen “pika të nxehta” të biodiversitetit, dhe shfrytëzimi i hidro-potencialit në to tregon se teknologjia dhe natyra mund të bashkëjetojnë, nëse rregullat janë të qarta dhe ka kontroll të përshtatshëm.
Një shembull i shkëlqyer për të ilustruar qasjen e ndryshme ndaj prodhimit të energjisë, e cila është e domosdoshme për jetën moderne, janë shtigjet edukative për fëmijë pranë hidrocentraleve të vogla në Zvicër. Këtu hidrocentralet e vogla janë shndërruar në një lloj “klase në natyrë” ku fëmijët mësojnë për bashkëjetesën e kapaciteteve prodhuese të energjisë me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Për shembull, pranë lumit Tur në Zvicër, ndërmjet Ebnatit dhe Trempelit, përgjatë shtegut të ecjes pranë lumit dhe hidrocentralit janë vendosur dhjetëra tabela informative, të cilat u shpjegojnë fëmijëve se si uji “huazohet” dhe kthehet në shtrat, çfarë është eko-prurja dhe si funksionojnë kalimet për peshqit. E njëjta pamje është edhe pranë hidrocentralit Rupoldingen në lumin Aare, ku operatori organizon vizita me qëllime edukative dhe ka panele me sensorë matës dhe informacione për sigurinë pranë ujit. Shtigjet janë vendosur në ura, pika vrojtimi dhe hyrje në lumë, dhe përmbajtja është e destinuar për grupet shkollore. Gjatë vizitës u caktohen edhe detyra fëmijëve për uljen e konsumit shtëpiak, bëjnë mini-eksperimente me turbina, kuize dhe aksione për pastrimin e brigjeve. Kështu, HVE-të në zona të mbrojtura shndërrohen në një mjet edukimi me të cilin fëmijët mësojnë njëkohësisht të përdorin energjinë me përgjegjësi dhe ta ruajnë natyrën.
Euro-zoom: HVE në zona të mbrojtura vetëm kur “dëgjohet” edhe lumi
Ndërtimi i centraleve moderne të tipit “run of river” mundëson përdorimin e një përvetësimi minimal dhe kthimin e menjëhershëm të ujit në shtrat. Kjo mundëson një eko-prurje të qëndrueshme. Ky qasje ka bërë që në Austri më shumë se 40% e HVE-ve të ndodhen në parqe kombëtare, ku investitorët duhet të sigurojnë edhe sensorë automatikë për nivelin e oksigjenit, temperaturën dhe migrimin e peshqve. Këto të dhëna lidhen me bazën publike të të dhënave. Austria ka mbi 4.000 hidrocentrale të vogla, si pjesë e rrjetit kombëtar për nxitjen e burimeve të rinovueshme, dhe të gjitha detyrohen të ruajnë minimumin eko të prurjes.
E njëjta gjendje është edhe në Zvicër, ku ekipet auditore një herë në vit kalibrojnë pajisjet matëse në hidrocentralet e vogla. Nëse prurja bie nën minimumin biologjik, turbinat automatikisht ndalen. Më shumë se 1.400 hidrocentrale të vogla prodhojnë rreth 3,7 TWh në vit, që është rreth 10% e prodhimit hidro të Zvicrës, me kushte strikte për prurjen e mbetur dhe migrimin e peshqve.
Norvegjia i ngjan një parajse evropiane për projektet e vogla dhe në vitin 2025 në territorin e saj, nën rregulla të rrepta, funksionojnë 1.451 hidrocentrale të vogla. Hidro-potenciali shfrytëzohet edhe në Gjermani, Francë dhe Spanjë, por me shumë rregullore për funksionimin e hidrocentraleve.
“Hidrocentrale të vogla, po apo jo?” – është pyetje e gabuar
Tek ne, debati për HVE shpesh është i ngarkuar me mosbesim. Gabimisht shtrohet pyetja ku përgjigjja është “po” ose “jo”. Përvojat e huaja tregojnë se pyetja e saktë do të ishte “si” – me një kornizë të përcaktuar, prurje ekologjike dhe monitorim publik, me çka rreziqet do të reduktoheshin në minimum.
Konkretisht për Maqedoninë, potenciali i pashfrytëzuar ujor mund të ndihmojë dukshëm në uljen e importit të energjisë elektrike. Sipas hulumtimeve të mediave “Bloomberg Adria”, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 importi i energjisë shënon rritje të ndjeshme. Për shkak të uljes së prodhimit vendas me 6,95% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga janari deri në qershor shteti ka shpenzuar mbi 194 milionë euro për importin e energjisë elektrike. Shumë afër 200 milionë eurove që u shpenzuan për të gjithë vitin 2023. Vitin e kaluar i gjithë importi ishte 260 milionë euro.
Mund të pritet që importi i energjisë të vazhdojë të rritet, pasi është ulur edhe prodhimi i energjisë së lirë nga centralet bërthamore. Valët e nxehtësisë së lartë ndikojnë në ftohjen e centraleve bërthamore dhe, për shkak të rrezikut nga incidente, operatorët i ndalojnë ato. Studimet tregojnë se ndërprerjet e shkaktuara nga kushtet atmosferike për periudhën 2010–2019 janë trefishuar krahasuar me periudhën 1990–2009.
Mesazhi është i qartë: paqëndrueshmëria klimatike ia heq Evropës komoditetin e prodhimit të parashikueshëm të energjisë elektrike. Pikërisht për këtë arsye, çdo kilovat-orë që mund ta prodhojmë në mënyrë të mençur dhe sipas rregullave të qarta ekologjike në vend, përfshirë edhe nga hidrocentrale të vogla me monitorim publik dhe prurje të rreptë ekologjike, vlen dyfish: si për faturën, ashtu edhe për sigurinë e furnizimit. (Burimi: novamakedonija.com.mk)
