Trajneri italian ka shprehur vlerësimin e tij për punën e drejtuesve të klubit në prag të sfidës së parë zyrtare, ku kuqezinjtë do të përballen me Barin në Kupën e Italisë. Për shkak të një pezullimi nga finalja e Kupës së Italisë sezonin e kaluar, Allegri nuk do të jetë në pankinë, por dha komente për situatën aktuale të ekipit për Mediaset.
“Besoj se klubi dhe Tare kanë punuar shumë mirë si në afrime, ashtu edhe në largime. E rëndësishme është që të ketë entuziazëm dhe besim te forca e skuadrës. Lojtarët e rinj janë integruar mirë dhe ka një frymë të shëndoshë. Është normale që me fillimin e sezonit të shtohet presioni”.
Trajneri nënvizoi se futbolli nuk është një shkencë e saktë dhe se skuadra, pavarësisht sfidave të mundshme, ruan vlerat e saj.
“Ky grup vitin e kaluar fitoi Superkupën dhe luajti finalen e Kupës së Italisë. Duhet të jemi të përqendruar në objektivat e sezonit 2025/26 dhe t’i arrijmë ato në një kampionat që zgjat 38 ndeshje”.
Në Milano vazhdojnë pritjet për ardhjen e një qendërsulmuesi të ri, me Rasmus Hojlund që mbetet prioritet për skuadrën, edhe pse Allegri nuk e përmendi emrin e tij drejtpërdrejt.
