Gazetar: Avni Tahiri

Ndaj gjashtë zyrtarëve policorë dhe dy personave të tjerë, prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve, ka ngritur aktakuzë për përfshirje në vepra penale që lidhen me korrupsion, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas prokurorit, i akuzuari kryesor, së bashku me dy persona të tjerë ndaj të cilëve procedura është pezulluar, dyshohet për veprën penale marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm.

Të njëjtit, duke ushtruar ndikim të paligjshëm mbi dy policë të tjerë, kanë ndërhyrë që ata të mos kryejnë detyrat zyrtare me qëllim që një shtetas turk, me qëndrim të paligjshëm në vend, të pajiset me leje të përkohshme qëndrimi.

“Për këtë ndërmjetësim janë marrë 900 euro shpërblim, ndërsa zyrtarët policorë kanë pranuar ndikimin dhe kanë abuzuar me pozitën e tyre. Njëri nga zyrtarët e akuzuar, i punësuar në pikën kufitare në Bllacë, përballet gjithashtu me akuzë për marrje ryshfeti, pasi ka kërkuar dhe pranuar 3000 denarë nga një shtetas tjetër turk për të kryer një veprim zyrtar të ndaluar me ligj”, thonë nga Prokuroria Themelore Shkup.

Sipas prokurorit publik, tre policë dhe një person i panjohur kanë ndërmjetësuar në këtë marrëveshje korruptive, ndërsa dy zyrtarë kanë regjistruar hyrje fiktive të qytetarit në sistemin kufitar ndërsa përmes veprimeve të ngjashme, një tjetër shtetas turk me qëndrim të paligjshëm ka arritur të largohet nga vendi pa u evidentuar në sistemin e kontrollit kufitar dhe pa iu shqiptuar ndonjë gjobë, duke shkaktuar dëm financiar për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, po ashtu edhe një inspektor i lartë për të huajt akuzohet se gjatë periudhës nga muaji korrik 2024 deri në prill 2025, në mënyrë të qëllimshme ka shpërdoruar detyrën dhe ka mundësuar pajisjen me leje qëndrimi për shtatë shtetas të Bangladeshit dhe Nepalit, duke injoruar raportet negative të Agjencisë për Siguri Kombëtare mbi rrezikun e mundshëm të sigurisë.

Hetimet për këtë rast sipas prokurorisë, kanë nisur në maj të këtij viti, kur u arrestuan 11 persona./ Alsat.mk

The post Aktakuzë kundër 8 personave, 6 prej të cilëve zyrtarë policorë për korrupsion appeared first on Alsat.