Fillojnë punimet në Shkollën “Jashar Bej Shkupi” në Dyqanxhik, Mexhiti: Do të ndërtohet një sallë sportive moderne, një kënd për fëmijë dhe katër klasa të reja

Kandidati për kryetar të Çairit nga VELN, Izet Mexhiti ka njoftuar fillimin e punimeve në Shkollën “Jashar Bej Shkupi” në Dyqanxhik. Sipas tij, gjatë vizitës disa ditë më parë janë identifikuar problemet që pengonin zhvillimin normal të mësimit dhe sigurinë e komunitetit shkollor. Mexhiti theksoi se pjesa e vjetër e shkollës, që përbënte rrezik për nxënësit dhe stafin, po rrënohet për të lënë vend për ndërtimin e një salle sportive moderne, një këndi për fëmijë dhe katër klasave të reja.

“Disa ditë më parë vizitova Shkollën “Jashar Bej Shkupi” në Dyqanxhik dhe identifikuam problemet që pengonin zhvillimin normal të mësimit dhe sigurinë e gjithë komunitetit shkollor. I sigurova stafin e shkollës se do të ndërhyjmë menjëherë për të plotësuar kërkesat dhe nevojat e tyre. Dhe sot, veprimi ka filluar: ka nisur puna për rrënimin e pjesës së vjetër të shkollës, e cila përbënte rrezik për nxënësit, mësuesit dhe gjithë stafin e shkollës. Në vend të saj, do të ndërtohet një sallë sportive moderne, një kënd për fëmijë dhe katër klasa të reja, duke krijuar kushte të sigurta dhe funksionale për të gjithë. Me këto investime, Shkolla “Jashar Bej Shkupi” do të bëhet shkolla e dytë në Çair që punon vetëm në një ndërrim, duke ofruar më shumë kohë dhe hapësirë për mësim, aktivitete dhe zhvillim. Ne punojmë. Ne ndërtojmë. Ne veprojmë për të gjithë. Sepse ky vend VLEN! Investojmë në të ardhmen. Ndërtojmë siguri. Krijojmë hapësira. Mbështesim qytetarët. Ngremë standarde të reja. Veprim, rezultat, ndryshim. Sepse ky vend është për të gjithë!”, ka shkruar Mexhiti.