Zëvendëskryeministri i parë, kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot para të rinjve prezantoi projektin e Qendrës Rinore në Çair, transmeton TV21. Mexhiti theksoi se Qendra Rinore do të jetë vendtakim i gjeneratës së re, ku do të kombinohen arsimi, inovacioni, arti dhe kreativiteti.
“Qendra Rinore do të jetë vendtakim i gjeneratës së re, ku do të kombinohen arsimi, inovacioni, arti dhe kreativiteti. Ajo do të shërbejë si një platformë për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve të Çairit,” theksoi Izet Mexhiti – kandidat për kryetar Komune në Çair.
Edhe kandidati tjetër nga AKI, Bujar Osmani sot prezantoi projektin “Çair për të gjithë fëmijët”.
“Një vend ku fëmijët tuaj do të marrin mbështetje defektologjike, logopedike dhe psikologjike, por edhe një vend ku do të ndihen të pranuar dhe të dashur. Qendra nuk do të jetë vetëm një institucion, por një shtëpi e dytë, me aktivitete që do të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre. Për ju, prindërit, do të sigurojmë këshillim dhe mbështetje profesionale, sepse e dimë se kujdesi për një fëmijë me aftësi të kufizuara është kujdes për tërë familjen. Do të krijojmë një fond për ndihmë financiare, përmes të cilit do të mbulohen një pjesë e shpenzimeve për barna, terapi dhe ndihmesa të veçanta. Ju nuk do të mbeteni vetëm në këtë betejë”, theksoi Bujar Osmani- kandidat për kryetar Komune në Çair.
