Në fillim të vitit të ri shkollor, me një mesazh drejtuar nxënësve të klasës së parë, por edhe mësuesve dhe prindërve, ministrja e Arsimit, Vesna Janeska, kërkoi që të gjithë të jenë të përkushtuar ndaj procesit arsimor dhe kujtoi se po bëhet gjithçka që të sigurohen kushte të mira për zhvillimin e mësimit. Vitin shkollor e kanë nisur mbi 17.000 nxënës të klasës së parë, dhe sipas ministres, ky numër është në nivelin e vitit të kaluar.
“Vetëm dua t’ua përcjell pritjet e mia të gjithë faktorëve të arsimit. Nga mësuesit pres që punën e tyre ta kryejnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Nga prindërit pres që t’i ndihmojnë mësuesit në këtë proces, ndërsa nga nxënësit pres që çdo orë e më shumë të bëhen të vetëdijshëm sa e rëndësishme është dija, aftësitë dhe kompetencat, sa është me rëndësi që të jenë në nivel të njëjtë me gjeneratën e tyre kudo në botë. Sepse tregu i punës është i rëndësishëm dhe nga ai varen edhe jetët e tyre në të ardhmen”, tha Janevska.