Reformat në arsim, të cilat parashohin që shkollat e vogla me pesë apo gjashtë nxënës të bashkohen me shkollat më të mëdha, janë të pranueshme për komunat, thotë kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Orce Gjorgjievski. Ai thekson se kjo reformë është diskutuar në të gjitha organet e BNJVL dhe se, edhe pse udhëheqësit e komunave janë të vetëdijshëm se ky proces do të ketë edhe anë negative, përfitimet do të jenë shumë më të mëdha.

ORCE GJORGJIEVSKI, KRYETAR I BNJVL

“E di se me reformat, në disa vendbanime ku ka dy, tre apo pesë fëmijë, do të vijmë në situatë që ata fëmijë t’i bashkohen një shkolle më të madhe, dhe kjo është logjike. Sepse, qofshin pesë fëmijë, qofshin 50 apo 500, shpenzimet ekzistojnë. Edhe nëse nuk janë të njëjta, kostot për stafin arsimor, për ngrohje, për ftohje, për energji elektrike – të gjitha këto procese sjellin shpenzime të barabarta.”

Ministrja e Arsimit, Vesna Janeska, thotë se zbatimi i kësaj reforme do të nisë nga viti i ardhshëm shkollor dhe çdo klasë do të ketë nga 20 deri në 24 nxënës.

VESNA JANESKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS

“Këtë reformë do ta fillojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm, që do të thotë në vitin shkollor 2026/2027. Mendoj se përqindja më e madhe e shkollave do të jetë e optimizuar, ndërsa paralelet e shkollave do të sillen në përputhje me ligjin, përveç në arsimin e mesëm profesional ku kjo nuk vlen dhe mund të ketë paralelë me më pak nxënës. Supozoj se nuk do të arrijmë ta përfundojmë gjithçka për një vit, por besoj se brenda dy viteve edhe ky proces do të mbyllet.”

Gjorgjievski, nga ana tjetër, thotë se pret që transformimi i vendeve të punës së mësuesve nga kontrata të përkohshme në të përhershme të ndodhë në periudhën e ardhshme, pas zgjedhjeve lokale, pasi në këtë periudhë nuk lejohet të jepen pëlqime, edhe pse komunat i kërkojnë ato.

Orce Gjorgjievski, kryetar i BNJVL
“Që kemi zhbllokim të proceseve – kemi. Që kemi përparim – kemi. Që është e mjaftueshme – nuk është e mjaftueshme. Duhet që pas zgjedhjeve të zbatohet me intensitet më të madh.”

Sipas informacioneve, rreth një e katërta e stafit arsimor nuk ka punësim të përhershëm, ndërsa disa të angazhuar presin transformimin e statusit të tyre tashmë 20 vite.