Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka shprehur synimin për të përshpejtuar eliminimin e praktikës së strehimit të emigrantëve që kërkojnë azil nëpër hotele në territorin britanik.
Në një intervistë për BBC-në, Starmer deklaroi se objektivi i tij është që kjo çështje të zgjidhet brenda vitit 2029, kur përfundon mandati aktual parlamentar.
“Kur flasim për përdorimin e hoteleve për azilkërkuesit, dua që ato të mos jenë më të nevojshme. Kam qenë shumë i qartë për këtë. E kuptoj shqetësimin e njerëzve. Zgjidhja është një proces i qëndrueshëm dhe i organizuar për shqyrtimin e kërkesave dhe, në rastet kur nuk ka të drejtë qëndrimi, për kthimin e personave në vendet e origjinës. Këtë e synojmë ta përmbushim deri në fund të mandatit,” tha ai.
Britania e Madhe aktualisht përballet me një fluks rekord të kërkesave për azil, me mbi 28 mijë persona të mbërritur këtë vit, shumë prej të cilëve përmes kanaleve detare me mjete të vogla.
Politika e strehimit të përkohshëm në hotele është kritikuar gjerësisht si tepër e kushtueshme dhe e pasigurt, me pretendime se ka ndikuar negativisht në sigurinë e komuniteteve lokale dhe është shoqëruar me rritje të rasteve kriminale.
Përveç kësaj, qeveria britanike ka pezulluar përkohësisht pranimin e aplikimeve për ribashkimin familjar të refugjatëve.
Këto zhvillime kanë nxitur protesta në disa qytete, ku qindra qytetarë kanë rrethuar hotelet që përdoren për strehimin e azilkërkuesve. Tensionet u shtuan javën e kaluar pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila ndaloi përdorimin e hoteleve për strehim, pas një incidenti ku një azilkërkues etiopian u akuzua për krime seksuale.