Gazetar: Angell Dimovski
Edhe pse 10 ditë më parë u pastrua, deponia jolegale në Nikushtak sërish është mbushur me mbeturina nga kamionët e ndërmarrjes publikë të Komunës së Likovës “Pisha”. Banorët e fshatrave për rreth Orllancë, Grushinë dhe Nikushtak të komunës së Haraçinës dhe asaj të Likovës protestuan duke kërkuar zgjidhje të përhershme. Në të kundërtën paralajmëruan bllokim të vazhdueshëm të rrugës.
“Fshati ka vreshta. Në rrush, domate, e gjithçka. Është i helmuar. Kur frynë nga kjo anë, era shkon deri në Kumanovë. Shumë ka dëm këtu. Autoritetet duhet ta ruajnë, të mos digjet as mali as mbeturinat. Jemi të gatshëm ne fshatarët të japim para t’i ndihmojmë shtetit ta largon. Por jemi të gatshëm edhe të punojmë”, tha një banor.
“Kjo deponi që e shihni këtu mbrapa neve që çdo ditë na helmon, nuk ka as licencë dhe është e dëmshme për shëndetin tonë. Dëshmi për këtë është përditshmëria jonë. Ne për çdo ditë ballafaqohemi me helmin dhe tymin që buron nga kjo deponi. Është momenti i fundit që kjo deponi të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, u shpreh një banor tjetër.

“Uji i fshatit është 50 metra nga kjo deponia aty është burimi. Njerëzit dhe kafshët pinë ujë nga aty. Le të vijnë një ekspert nga kudo që duan ato dhe le ta shohin se sa i dëmshëm është ai ujë nga kjo deponi”, theksoi një banor.
Më 25 gusht, ministri i Ekologjisë Izet Mexhiti nga vendi i ngjarjes kur dhe filluan punimet për pastrimin e deponisë tha se Qeveria ka ndarë 5 milionë denarë dhe pajisje për menaxhimin e sigurt të mbeturinave.
Ai pati deklaruar se me këtë vendim nis aksioni për mbylljen dhe sanimin e deponisë më problematike në vend. Paraprakisht deponia ishte rrethuar për të pamundësuar hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave. / Alsat.mk

The post Banorët e fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë kërkojnë zgjidhje të përhershme për deponinë jolegale appeared first on Alsat.
