Disa zjarrfikës u lënduan gjatë shuarjes së zjarrit të madh që shpërtheu mbrëmë në fabrikën “Makprogres” në Vinicë, e njohur për brendin “Vinçini”. Zjarri është vënë nën kontroll, njoftoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.

“Të djegura janë tre linja të shënuara si 6, 7 dhe 8, nga të cilat dy janë magazina, të gjitha me panele diellore në çati. Janë shpëtuar linjat nga 1 deri në 5. Zjarri është nën kontroll të plotë. Në shuarje morën pjesë zjarrfikës nga Vinica, Makedonska Kamenica, Dellçeva, Koçani, Probishtip, Shtip, Strumicë, Kavadarci dhe Veles”, deklaroi Angelov.

Ai shpjegoi se disa zjarrfikës kanë pësuar djegie në këmbë pasi u ngjitën në smolën e krijuar nga sheqeri i shkrirë në një nga repartet. “Gjatë përpjekjes për të liruar këmbët, çizmet u mbetën në sheqerin e shkrirë dhe ata shkelën mbi masën e nxehtë”, shtoi ai.

Zjarri në fabrikën e ëmbëlsirave dhe biskotave shpërtheu dje në orën 18:40, duke përfshirë disa magazina dhe sektorët e prodhimit 6, 7 dhe 8.