
Në seancën për pyetje deputetësh, deputeti Skender Rexhepi prezantoi një listë të mbi 1200 kompanive për të cilat pohon se janë përdorur për privatizim në mënyrë kriminale. Rexhepi i kërkon Mickoskit të hap një hetim të pavarur dhe të mos e përdorë punën e Soravisë për politika ditore kundër BDI-së. Nëse bëhet ky hetim, thotë se do të dalin raste 50herë më të mëdha se sa “Soravia”, duke filluar nga Gjevgjelia deri në Ohër.
“Soravia është një element i vogël për të cilin nuk ka asnjë dëshmi dhe i cili përdoret për politikë ditore çdo ditë. Këtu i kam mbi 1200 kompani që janë përdorur për privatizim nga vitet 90ta deri vitin 2000 dhe të gjitha janë bërë me krim dhe korrupsion, me shkelje të të drejtave njerëzore, janë bërë me vjedhje të institucionit apo pasurisë shtetërore. Pse nuk e filloni një hetim të pavarur për vjedhjen që është bërë nga 90tat sepse krimi nuk plaket!”, tha Skender Rexhepi – AKI.
“Ju po thoni se maqedonasit e kanë vjedhur Maqedoninë nga shqiptarët. Çfarë bëri BDI-ja për këtë çështje në 22 vitet e kaluara derisa ishte në pushtet? Kishte ministër të drejtësisë, për ekonomi, për financa, për punë të jashtme, për mbrojtje, madje edhe kryeministër kishte. Çfarë bëri për këtë çështje? Asgjë, zero! Por u bë ortak me po të njëjtit”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Rexhepi thotë se pushteti është bërë monoton çdo ditë duke përmendur edhe rastin kur funksionarët e BDI-së luanin futboll në zyrat qeveritare. Sipas tij futbolli ka qenë marketing për atë se si e shfrytëzojnë kohën e lirë. Mickoski iu kundërpërgjigj me ironizim.
“E sa i përket Soravisë supozoj se në seancën e radhës të Kuvendit ju do të thoni se ka qenë një lojë fëmijësh. Fëmija ka lozur dhe ka thënë op, do të blej një qendër tregtare. Supozoj se ky është arsyetimi që ju do e thoni. Nipi duke lozur ka thënë sa e bukur kjo ndërtesë, do ta blej!”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Qendra Tregtare “Soravia” u ble nga Drin Ahmeti, nipi i kreut të integristëve, Ali Ahmeti. Por në atë kohë, Drin Ahmeti pohonte se ai personalisht nuk ka dhënë asnjë qindarkë por se bashkë me Vladimir Pjetërgjokajn nga kompania PEVLAKU, kanë tërhequr linjë kreditore nga banka CREDINS me vlerë 6 milion euro, me qëllim mbulimin e borxhit të kompanisë prej 20 milion euro. /Alsat.mk
