Në një kohë kur izolimi diplomatik ndaj Izraelit po thellohet, presidenti izraelit Isaac Herzog i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Evropës që të mos distancohet nga shteti hebre.

Gjatë një eventi në ambasadën gjermane në Herzliya, Herzog deklaroi se penalizimi i Izraelit do të dëmtonte vetë interesat europiane dhe do të ndihmonte “agjentët e kaosit”.

“Izolimi i Izraelit është një kapitullim përballë ekstremizmit. T’i kthesh shpinën Izraelit sot do të thotë t’i kthesh shpinën interesave të Evropës nesër”, u shpreh presidenti, duke përmendur ndikimin në shkencë, kulturë dhe sigurinë rajonale.

Deklaratat e Herzog vijnë ndërsa Bashkimi Evropian ka sinjalizuar masa të reja kundër Izraelit, përfshirë pezullimin e mbështetjes dypalëshe dhe sanksione të mundshme ndaj anëtarëve të ekstremit të djathtë në qeverinë Netanyahu, pas zhvillimeve të fundit në Gaza dhe një sulmi të diskutueshëm ndaj Katarit.

Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi të martën mbrëma se do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë për herë të katërt që nga fillimi i mandatit të dytë të Presidentit amerikan Donald Trump.

Takimi pritet të mbahet pas dy javësh, pas fjalimit të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Duke komentuar për sulmin ajror të paprecedentë në Doha, Netanyahu konfirmoi se vendimi ishte marrë pa konsultuar Uashingtonin.

“Ishte një vendim i marrë nga unë dhe kabineti im i ngushtë. Nuk e përfshimë Shtëpinë e Bardhë”, tha ai, ndërsa shtoi se marrëdhëniet me Trump mbeten “shumë të mira”.

Në përpjekje për të sqaruar deklaratat e mëhershme për një model ekonomik autarkik, Netanyahu theksoi se Izraeli synon vetëm pavarësi në sektorin e mbrojtjes, për shkak të kufizimeve që po vendosen nga vendet europiane.

“Nëse ka një mësim nga kjo luftë, është se duhet të mbrojmë veten me forcat dhe armët tona. Siguria e Izraelit nuk mund të varet nga askush tjetër”, deklaroi ai.

Këto zhvillime vijnë në një moment kritik për Izraelin, i cili përballet me trysni të jashtme në rritje, ndërkohë që lufta në Gaza vijon dhe reagimet ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më të ashpra.

The post Herzog: Izolimi i Izraelit dëmton edhe Evropën appeared first on Alsat.