Pushteti që merret me opozitën, shenjë force apo dobësie?

Në historinë e demokracive funksionale, rrallëherë ka ndodhur që pushteti, gjatë gjithë kohës së tij, të merret më shumë me opozitën sesa me qeverisjen. Ky fenomen nuk është rastësi, por pasojë e dobësive të thella politike.

Kur mungojnë rezultatet e qeverisjes, pushteti shpik armiq të përhershëm për t’ia zhvendosur vëmendjen qytetarëve nga problemet reale. Një qeveri pa ide dhe pa plane konkrete, shndërrohet në pushtet reagues, merret me kundërshtarin, por jo me hallet e njerëzve.

Në vend të garës për ide, krijohet një klimë hakmarrjeje, ku opozita shihet si rrezik personal, jo si faktor demokratik. Madje, përplasjet përdoren shpesh për të mbuluar varësitë dhe ndikimet e jashtme, siç është rasti me praninë e botës serbe.

Në fund, gjithçka lidhet me një synim të vetëm: kontrollin e opinionit publik. Duke e mbajtur opozitën në qendër të vëmendjes, pushteti mundohet t’u ikë pyetjeve për integrimin në BE, për ekonominë, korrupsionin, shërbimet dhe të ardhmen e vendit.

Pra, një qeveri që merret gjithë kohën me opozitën nuk është shenjë force, por tregues i pasigurisë, frikës dhe mungesës së vizionit.