Gazetar: Avni Tahiri
“Si kjo deponi që është krijuar para hyrjes së një shtëpie në Hasanbeg të Shkupit ka edhe qindra të tilla siç mund të shihen edhe nga kamera jonë. Banorët ankohen që sidomos në mëngjes kur fëmijët shkojnë në shkollë është bërë problematikë nga qentë endacak të cilët grumbullohen shkaku i mbeturinave”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.
Në mëngjes, takuam postierin i cili shkonte derë në derë në Hasanbeg, për të dërguar posten, por për shkak të qenve endacakë që grumbullohen i është vështirësuar puna e tij.
“E shihni edhe vetë se si është gjendja, nga era e keqe nuk lëvizet, shkoj derë në derë e ka çdo lloj sëmundje këtu. Në mëngjes ka edhe qen endacak, po i bartin mbeturinat. Si ia bën ti kur duhet të shkosh në mëngjes të dërgosh letra? Nuk shkoj hiç, se nuk mund të bëj luftë. Kur i dërgon pastaj? I dërgoj më vonë kur nuk ka qen aty. Të ka sulmuar ndonjë qen deri tani? Po, ka ndodhur”, tha një qytetar.
Banorët tjerë thonë se nuk mund të durojnë erën e keqe dhe detyrohen me vetë iniciativë të paguajnë për largimin e mbeturinave.
“Këto mbeturina që i shohim para derës që sa kohë që janë? Që tre javë, e nga sot java e katërt. Dy here i kemi larguar me traktor, paguam persona me traktor dhe i dërguam në Haraçinë por edhe atje kemi paguar edhe transportin por edhe mbeturinat që i hodhëm atje”, u shpreh një qytetar.
“Gati katër javë nuk kanë ardhur t’i marrin, jo vetëm që vjen era por edhe në mëngjes fëmijët kur shkojnë në shkollë i sulmojnë qentë sepse vijnë shkaku i mbeturinave, ndoshta edhe sëmundje mund të marrim. Nuk është vetëm këtu por në përgjithësi në tere lagjen nuk janë larguar që katër javë”, theksoi një qytetar.
“Kërkesa jonë është që të dalin në terren dhe të grumbullojnë mbeturinat sepse nuk durohet era, fëmijët s’mund të shkojnë në shkollë nga qentë që grumbullohen për shkak të mbeturinave. Le të vijnë t’i grumbullojnë por kryetares së Shkupit nuk i intereson për Hasanbegun nëse jo atëherë do të organizohemi që t’i dërgojmë para Qytetit të Shkupit sepse kështu nuk jetohet”, tha Rexhep Ali Kadriu – Kryetar i bashkësisë lokale të Hasanbegut.
Për kundër ankesave të banorëve të Hasanbegut për gjendjen e rënduar me mbeturinat, nga Ndërmarrja e Higjienës Komunale, thonë se aktivitetet po zhvillohen në përputhje me dinamikën e parashikuar për grumbullimin ndërsa shtojnë së për shkak të sasive të shtuara të mbeturinave komunale ndodhë që të ketë vonesa në mbledhjen e mbeturinave. Përveç Hasanbegut, me problemin e mbeturinave tani e sa kohë, përballet i gjithë Shkupi./ Alsat.mk
The post S’ka zgjidhje për problemin me mbeturina në Hasanbeg appeared first on Alsat.
