Gazetar: Miki Trajkovski
Për më shumë se 14 orë, struganët mbetën pa ujë të pijshëm, gjë që i detyroi ata të mbushnin shishet dhe tubat me ujë nga çezmat më të afërta për të kaluar ditën. Problemi i mungesës së ujit është diçka me të cilën qytetarët shprehen se përballen rregullisht.
“Mirëdita dhe një ditë e bukur nga zemra e rajonit të tretë në Strugë. Siç e shihni, ende nuk ka ujë. Kjo ndodh në shtator. Çdo ditë pas orës 13:00 nuk kemi ujë për gjysmë muaji dhe nuk e di sa do të zgjasë kjo, më të prekurit janë ata që jetojnë nga kati i 4-të e lart”, deklaroi një banor i Strugës.
Si alarm për atë që po ndodhte në Strugë, mbrëmë një grup qytetarësh zhvilluan një aksion gueril, duke mbushur ujë me kova nga liqeni dhe Drini i Zi, i çuan në zyrat e Ujësjellësit dhe Kanalizimit. Qytetarët thonë se ky duhet të jetë alarmi i fundit për atë që po ndodh në qytet.
“Dje nuk kishte ujë nga ora 15 deri në orën 23 të mbrëmjes. Mbushem nga një vend tjetër. Ndonjëherë nuk ka ujë gjithë ditën, dhe ne qëndrojmë mbi ujë, por ujë nuk ka. Ata nga komuna janë të pafytyrë. Kuk ka ujë këtu në Strugë, ndërsa jetojmë në ujë. Të gjithë janë njësoj, të gjithë punojnë për vete, kjo është kriminale”, tha një banore e Strugës.
“Ishte e vështirë. Kishim pak rezerva, por kjo nuk është ajo. Jemi kështu gjithë verës. Jemi në katin e 5-të dhe është edhe më e frikshme. Ne bëjmë dush zakonisht në mëngjes, atëherë zakonisht ka ujë, nëse ke nevojë më vonë nuk ka shans më. Çdo natë hape dritaren ose derën hyn një erë e keqe brenda. Ndoshta nga deponia”, u shpreh një tjetër banore e Strugës.
Nga Ujësjellësi dhe Kanalizimet, pretendojnë se Struga ka mbetur pa ujë, jo për fajin e tyre, por si pasojë e dëmtimit të tubit kryesor nga ana e Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë. Drejtori, Dashmir Nasufi, thotë se do të fillojë një procedurë zyrtare në polici, për të përcaktuar me saktësi shkakun e dëmit dhe përgjegjësinë institucionale
Nasufi thotë se ata menjëherë kanë blerë pjesë të reja, dhe defekti është riparuar për disa orë. Ndërkohë, Struga vazhdon të përballet me kufizime të përditshme të ujit nga mesnata deri në orën 5:30 e mëngjesit. Zyrtarët thonë se arsyeja për këtë është rrjedhja minimale e ujit nga të dyja burimet me vetëm 10% të kapacitetit total. /Alsat.mk
The post Struga përballet me mungesë të ujit, qytetarët mbushën kovat me ujë liqeni dhe i çuan në zyrat e Ujësjellësit appeared first on Alsat.
