Te Juventusi, sulmi i pasur me elementë cilësorë është armë e madhe, por edhe problem menaxhimi. Pavarësisht se u konsiderua si goditja e madhe e merkatos, Jonathan David kundër Atalantës e kaloi gjithë ndeshjen në stol. Trajneri Tudor shpjegoi pas sfidës: “Bremer pati një lodhje të lehtë. Më vjen keq që nuk pata mundësi ta shfrytëzoja zëvendësimin e fundit me David”.

Në fund, vendimi rezultoi fatlum, pasi pas daljes së brazilianit hyri Cabal, i cili shënoi golin e barazimit. Megjithatë, fakti mbetet: David, i ardhur nga Lille si titullar i pritshëm, ka luajtur vetëm 90 minuta në 4 ndeshjet e fundit, duke humbur rolin e të padiskutueshmit. Tudor duket ende në kërkim të formulës ideale për ofensivën.

Me Atalantën, përballë presionit një kundër një, ai zgjodhi një treshe pa pika fikse referimi (Adzic, Yildiz, Openda), ndërsa më pas futi Vlahovic dhe Zhegrova. Në këtë kuadër, David pritet të ketë hapësira, por konkurrenca është e madhe: nga sulmuesi klasik si Vlahovic, te lëvizësi si Openda, fantazistë si Yildiz e lojtarë polivalentë si vetë David. Për momentin, kanadezi mbetet alternativë luksi, në pritje të vendit që i takon.

 

 

The post Enigma e David te Juventusi, nga super përforcimi veror në rezervë luksoze appeared first on Telesport.