Gazetar: Suad Bajrami
“Hristijan Mickoski me zagarë dilet në gjueti për lepuj, por jo për shqiponja”, tha Ali Ahmeti.
Kështu deklaroi në konventën e mbrëmshme promovuese të AKI-së në Shkup, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, duke iu referuar oponentëve të tij nga koalicioni VLEN se po i shërbejnë VMRO-DPMNE-së si zagar, një racë qeni që përdoret për gjueti. Nga partia e Ahmetit sot vlerësojnë se gjuha e tillë ka qenë e duhur, megjithatë ngurrojnë të përmendim emrat e personave që iu vesh ky epitet.
“Ato fjalë kanë qenë të dedikuara për të gjithë vasalët të cilët i shërbejnë politikës së VMRO-DPMNE-së. Kush janë vasalët? Të gjithë ata që i shërbejnë politikës së VMRO-DPMNE-së. Kush i shërben? Të gjithë ata që i shërbejnë”, u shpreh Faton Ahmeti, AKI.
Për koalicionin VLEN, deklarata e Ahmetit nuk është e çuditshme pasi siç tha Izet Mexhiti, nuk është as hera e parë e as e fundit që përdor fjalor ofendues.
“Ahmeti mbrëmë foli për gjithçka, foli me nervozë, foli me urrejtje që nuk e ka herën e parë. Ka sharë 700 mijë nëna shqiptare, tetovarët i quajti ndryshe, pra i ofendoi. Nuk është ofendimi as i parë as i fundit, por kjo flet për nervozen që sundon te zotëri Ahmeti dhe të tjerët”, theksoi Izet Mexhiti, VLEN.
Për fjalorin e Ahmetit reaguan edhe nga VMRO-DPMNE, të cilën kreun e BDI-së e quajnë harabel.
“Ali Ahmeti, nuk je ti shqiponjë, por një harabel i thjeshtë. Pas zgjedhjeve presim që harabelat të sjellin letër me oferta për koalicionim, me lëshime bllanko dhe premtime se do të reformohen”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Në konventën e mbrëmshme u dëgjuan edhe thirrje mbështetëse për Artan Grubin, funksionarin e arratisur të BDI-së që së fundmi u fut në Listë të Zezë të SHBA-së. Megjithatë, nga BDI theksojnë se thirrjet e tilla nuk kanë qenë të organizuara.
“Ndoshta kanë qenë thirrje të personalizuara të ndonjë grupi të caktuar. Nuk kanë qenë thirrje të organizuara nga vetë organizatorët e tubimit”, tha Faton Ahmeti, AKI./ Alsat.mk
The post Përplasjet/ Ahmeti i quan zagarë kundërshtarët politik – Mexhiti: fjalori i Ahmetit tregon nervozizëm, VMRO e quan harabel appeared first on Alsat.