Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të fushatës parazgjedhore premtoi se do të zgjidh problemin e mbeturinave dhe Çairin do ta bëjë komunë të pastër dhe moderne. Mexhiti, promovoi projektin kapital të quajtur “Çairi pa mbeturina”, i cili mes tjerash parashikon zëvendësimin e kontejnerëve ekzistues me kontejnerë nëntokësor. Projekti, sipas Mexhitit do të kushtojë 120 milionë denarë, ndërsa afati i realizimit është 36 muaj.

“Sot jemi këtu për të ofruar një plan të qartë, konkret dhe të realizueshëm. Një vizion që do të transformojë Çairin në një komunë të pastër, të rregullt dhe moderne, ashtu siç e meritojnë të gjithë. Strategjia jonë bazohet mbi tre shtylla kryesore. Shtylla e parë, modernizimi dhe zgjidhje përfundimtare, instalimi i kontejnerëve nëntokësorë. Çairit i duhet një revolucion i menaxhimit të mbeturinave. Për këtë arsye e shpallim projektin tonë kapital – Çairi pa mbeturina në rrugë. Ky projekt parasheh zëvendësimin e plotë të kontejnerëve ekzistues, shpeshherë jofunksional me një sistem modern të kontejnerëve nëntokësor në të gjithë territorin e komunës sonë. Angazhohemi për zëvendësimin e plotë të kontejnerëve ekzistues të mbeturinave me një sistem bashkëkohor të kontejnerëve nëntokësorë. Për këtë projekt kapital sigurojmë një buxhet prej 120 milionë denarësh me afat zbatimi prej 36 muajsh”, deklaroi Izet Mexhiti, Kandidat i VLEN-it për Çairin. /Alsat.mk

The post Fushata/ Mexhiti premton zgjidhje të problemit me mbeturinat appeared first on Alsat.