Gjykimi kundër ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, i cili bashkë me dy onkologë të tjerë akuzohet për mjekim të pandërgjegjshëm të pacientëve, është shtyrë për më 8 tetor. Vendimi u mor pasi mbrojtja e të akuzuarit Vasev kërkoi që prokurori shtetëror publik, Lupço Kocevski, të marrë lëndën ose ta dërgojë atë në prokurori tjetër.
“Duke pasur parasysh kërkesën e dorëzuar tek prokurori publik shtetëror Lupço Kocevski për ndërmarrje të ndjekjes penale, për të cilën nevojitet vendim i prokurorit publik të RMV-së, gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për udhëheqjen e procedurës. Për këto arsye, seanca shtyhet për më 8 tetor,” deklaroi gjykatësja Snezhana Markovska.
Para fillimit të seancës, avokati i Vasevit, Spiro Ristovski, dorëzoi në gjykatë kërkesë për delegimin e kompetencës nga PTHP Shkup tek prokurori shtetëror publik Lupço Kocevski, me kërkesën që ai ta marrë procedurën plotësisht ose ta delegojë në prokurori tjetër.
Prokurorja publike, Ana Gogovska Jakimovska, kërkoi shtyrje të seancës, duke sqaruar se nuk mund të deklarohej për këtë kërkesë dhe se duhet ta dorëzojë në organin ku është dërguar.
Avokatët e mëparshëm të të akuzuarit të parë, Nino Vasev, Martin Mitrovski dhe Nikolla Starvrev, njoftuan gjykatën se e tërheqin autorizimin e tyre, ndërsa avokatë të rinj të Vasevit janë Delo Kadiev dhe Spiro Ristovski.
Seanca e sotme duhej të vazhdonte me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, të cilët pjesërisht ishin ftuar për t’u marrë në gjykatë.
Nikolla Vasev, ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, bashkë me dy onkologë të tjerë, Simonida Cërvenkovën dhe Dragan Jakimovskin, të punësuar në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë Shkup, akuzohen për mjekim të pandërgjegjshëm të pacientëve. Procedura fillimisht kishte nisur edhe kundër një onkologe tjetër, Meri Peshevska, e cila pranoi fajin para gjykatës dhe u dënua me kusht për dy vjet.
Prokuroria i akuzon mjekët për “krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe “mjekim të pandërgjegjshëm”, pasi 29 pacientë u trajtuan me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes shëndetësore.
Përveç kësaj, ndaj Vasevit dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës është ngritur një tjetër akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarësh për buxhetin e shtetit.