Gazetare: Melihate Rustemi

Studentët vërshuan universitetet në ditën e parë të fillimit të vitit të ri akademik. Ndryshe nga të tjerët, brucoshët që tashmë nisën një kapitull të ri shprehnin  emocione dhe gëzim. Pavarësisht që akoma nuk ishin njoftuar me programet dhe ambientet thanë se janë të gatshëm të përballen me sfida të reja.

“Presim njohuri të reja, miqësi”, tha një studente.

“Jemi pak të emocionuar, të hutuar, nuk e di, presim vetëm të fillojmë. Psikikisht po përgatitemi”, u shpreh një studente tjetër.

“Sapo kemi mbërritur, akoma nuk kemi hulumtuar dhe nuk kemi shëtitur gjithandej, jemi pak të emocionuar, presim të shohim gjithçka që duhet. Thënë shkurt të gatshëm për mësim”, theksoi një studente.

“Jemi të përgatitur, shpresojmë që programi të jetë shumë i mirë. Shpresojmë që do të mësojmë mjaftueshëm dhe shpresojmë në të ardhmen do të ndërtojmë karrierë të suksesshme edhe si avokat, gjykatës, politikan. Urojmë që fakulteti të na mundësoj të ardhme më të mirë, parasë gjithash arsim të mirë”, tha një studente.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se këtë vit numri më i madh i studentëve qëndruan për studime në vend dhe nuk u larguan jashtë vendit.

“Me kënaqësinë më të madhe mund të them se jemi shumë  të lumtur që këtë vit studentët vendosën të qëndrojnë në Maqedoni. U regjistruan në numër të madh dhe bashkë me ne në të ardhmen do ta ndërtojmë që të jetë më e mirë dhe më  e begatë”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.

Sipas dikasterit të Arsimit, në gjashtë universitetet publike janë regjistruar 10 mijë studentë. 5.100 studentë janë regjistruar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, 300 më shumë se vitin e kaluar akademik./ Alsat.mk

The post 10 mijë studentë mbajtën ligjëratën e parë në 6 universitetet publike të vendit appeared first on Alsat.