Instituti i ri në Shkup: Ndryshim në qeverisje dhe ekonomi

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në objektin historik “Çifte Hamam” në Shkup, u bë themelimi i Institutit për Zhvillim Ekonomik dhe Politik (IEP), një organizatë e re akademike dhe kërkimore me fokus në avancimin e zhvillimit ekonomik dhe politik në Maqedoni dhe rajon, transmeton Portalb.mk.

Ky institut, i cili synon të jetë një qendër lidershipi dhe inovacioni në fushën e ekonomisë dhe politikës, do të funksionojë si një platformë e rëndësishme për bashkëpunim midis akademikëve, politikanëve, biznesit dhe shoqërisë civile. Në krye të këtij institucioni u zgjodh Prof. Dr. Bashkim Selmani, një ekspert i njohur ndërkombëtarisht në ekonominë zhvillimore, i cili ka dhënë kontribute të rëndësishme në hulumtime dhe politika publike.

Selmani në fjalën e tij theksoi rëndësinë e krijimit të një institucioni që do të punojë jo vetëm në zhvillimin e teorive ekonomike dhe politologjike, por edhe në zbatimin e tyre përmes politikave praktike që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Misioni ynë është të ndihmojmë në krijimin e një ambienti ekonomik të drejtë dhe konkurrues, ku të gjitha rajonet dhe komunitet e Maqedonisë do të kenë mundësi të barabarta për zhvillim,” tha ai.

Një fokus i veçantë i IEP do të jetë studimi dhe eliminimi i pabarazive ekonomike ndërmjet komiteteve dhe rajoneve të ndryshme në vend. Kjo do të realizohet përmes kërkimeve të thelluara shkencore, analiza statistikore dhe propozimeve konkrete për politika zhvillimore që do të synojnë barazinë territoriale dhe sociale.
Strategjitë kryesore të institutit përfshijnë:

Hulumtim i thelluar dhe analiza ndërdisiplinore mbi tendencat ekonomike dhe politike në nivel lokal dhe rajonal, për të identifikuar sfidat dhe mundësitë zhvillimore.
Zhvillim i politikave publike të bazuara në prova, duke ofruar rekomandime konkrete për qeverinë dhe aktorët tjerë për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Promovim i dialogut dhe bashkëpunimit mes sektorëve publik, privat dhe akademik, për të siguruar zbatim efektiv të politikave.
Përfshirje aktive e të rinjve dhe komuniteteve lokale në proceset e vendimmarrjes dhe zhvillimit ekonomik, duke krijuar programe edukative dhe mentorimi.
Bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim i ekspertizës, për të sjellë praktikat më të mira dhe për të integruar Maqedoninë në rrjetet globale të zhvillimit ekonomik dhe politik.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë figura kyçe të jetës akademike dhe politike, të cilët shprehën mbështetjen e tyre të fuqishme për iniciativën dhe vlerësuan potencialin e IEP për të sjellë ndryshime pozitive në Maqedoni. Ata theksuan nevojën për një institucion të tillë që lidh njohuritë akademike me sfidat reale ekonomike dhe politike të vendit.