
Është bërë e vështirë, z. Ahmeti, në këtë fushatë edhe të gjejmë ndonjë anekdotë për t’i përcjellë porosi Mickoskit.
Duhet të jemi bashkë për t’i treguar VMRO-së se çfarë mund të bëjmë. Asgjë s’mund të bëjnë ata kur ne jemi të bashkuar. I përmendi Jetoni disa momente, por ky është një moment tjetër. Shefat e shtabeve dhe qytetarët e Strugës e kanë ndarë mendjen që ta kryejmë punën që në rrethin e parë. Z. Ahmeti, nga Struga do ta fillojmë fitoren e madhe dhe do të vazhdojmë në Kërçovë, në Dibër, Gostivar, Tetovë, Çair e gjithandej.
Ne ju themi: hajdeni të bëhemi bashkë, sepse shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër. E kanë thënë rilindasit: opsioni i vetëm është bashkë me popujt e Europës. Rruga e mbrapshtë që ka nisur Mickoski dhe bota serbe nuk është opsion për ne. Nëse ata kanë opsione të tjera, bashkë duhet t’ua themi: shqiptarët nuk kanë opsion tjetër, veçse një – pjesë e BE-së dhe aleat i përhershëm i SHBA-së.
Prandaj, të dashur vëllezër e motra, ky është një mision më tepër se zgjedhje lokale, prandaj jemi bërë bashkë dhe do të vazhdojmë bashkë me këto sfida. Janë të njëjtat sfida si në vitin 2013, kur ne u bëmë bashkë dhe VMRO donte ta merrte Strugën. Atëherë ata përdorën lapsin çifut: shqiptarët votonin dhe ngjyra fshihej. Por ne u bëmë bashkë, e fituam Strugën dhe Struga u bë e toskëve dhe gegëve.
Tani VMRO ka gjetur moment tjetër, me kandidatë të pavarur gjoja. Kandidatë më të varur se ata nuk ka pasur kurrë. Në këto zgjedhje ne duhet ta japim mesazhin më të madh, pas zgjedhjeve të kaluara kur Mickoski zgjodhi për ne. Këtë herë ne duhet të tregojmë se ne zgjedhim vetë – nga Likova deri në Strugë. Ne vetë do ta zgjedhim Arsimin dhe Fatonin.
I nderuar Arsim, i nderuar Faton, ruani emocionet kur paraqiteni para njerëzve. Gabim është kur thonë se politika s’duhet të ketë emocione. Vetëm kur i ruan emocionet, ruan emocionet e babë Nazimit, sakrificën e Komandant Strugës, emocionet e një gjenerate që u rrit në ish-sistemin jugosllav, që i burgoste shqiptarët për të drejtat e tyre në tokën e tyre.
T’i ruajmë emocionet, të mos harrojmë sakrificën e brezave para nesh. Ruani emocionet sepse Struga është dashuri. Është dashuria e mërgimtarëve për vendlindjen – mërgimtarëve të cilëve unë u bëj thirrje që më 19 Tetor ta bëjmë fitoren e madhe për Strugën.”**