Digjitalizimi, ndërveprimi, siguria kibernetike, lidhja e institucioneve dhe sfidat e kohës së re – nga inteligjenca artificiale deri te pjesëmarrja në sektorin e biznesit dhe komunitetin akademik – janë temat kryesore të diskutimit në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor (WBDS) 2025. Ky event rajonal, që mbahet sot në Shkup, i bashkon liderët e transformimit digjital nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, para fillimit të Samitit theksoi se në Shkup janë mbledhur përfaqësues të shteteve dhe ekonomive nga i gjithë Ballkani Perëndimor, ekspertë, përfaqësues të korit diplomatik dhe të biznesit rajonal. Ai shprehu shpresën se ngjarja do të fuqizojë lidhjen mes shteteve të rajonit.

“Shpresoj që ky aktivitet të shërbejë si platformë për lidhjen e vendeve të rajonit, jo vetëm si një mundësi për diskutim, por që të arrijmë sukses së bashku. Në këtë drejtim, të inkurajuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), kemi punuar në një deklaratë të përbashkët, e cila u bën thirrje BE-së dhe fqinjëve tanë të mundësojnë nismën ‘roaming si në shtëpi’, duke ulur shpenzimet për të dhëna, thirrje telefonike dhe SMS për qytetarët nga Ballkani Perëndimor në të gjithë Evropën, ashtu siç kjo nismë ka funksionuar deri tani në rajon”, tha Andonovski.

Ministri shtoi se shpreson që kjo deklaratë e përbashkët të jetë e suksesshme dhe, më pas, të gjitha shtetet e rajonit të përmbushin kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian.

Sekretari i përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviq, shprehu shpresën që bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin Andonovski do ta hapin Samitin e shtatë Digjital, duke kujtuar se Samiti i parë u mbajt po në Shkup në vitin 2018. Që nga ajo kohë, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për qytetarët e rajonit, siç janë zona e roamingut të lirë në Ballkanin Perëndimor dhe ulja e çmimeve të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Tani shkojmë më tej, drejt vendosjes së tarifës zero me BE-në, një hap i madh drejt integrimit të tregut rajonal me tregun e BE-së”, theksoi Kapetanoviq. Ai shtoi se qëllimi final është lidhja e rajonit me tregun digjital të Bashkimit Evropian.

Kapetanoviq paralajmëroi se pas këtij Samiti, do të zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, ku do të miratohen dokumente dhe plane veprimi të rëndësishme, të cilat do të kontribuojnë në integrimin e tregut digjital të Ballkanit Perëndimor me atë të BE-së.