Kasami: Me 7 milionë euro i japim fund rrëmujës në infrastrukturën e Tetovës

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot ka inspektuar punimet në Bllokun Urban 70, prej ku deklaroi se epoka e “Tetovës së rrënuar dhe me gropa” ka marrë fund, ndërsa qyteti po hyn në një fazë të re të zhvillimit infrastrukturor.

Me një investim prej 15 milionë denarë vetëm në këtë lagje, Kasami tha se është arritur transformimi i plotë i Bllokut 70, i cili për vite të tëra kishte mbetur i harruar nga pushteti i mëparshëm.

Kasami theksoi se në kuadër të projekteve dhe investimeve nga komuna, po ndërtohen dhe rinovohen rrugë në lagjet Drenovec, Teqe, Potok, Kolltuk, Jashtë Vardari, tek Xhamia e Rinisë, Tetovarja, Cetinska, lagjja Hajduçka si dhe në shumë fshatra, duke përfshirë Reçicën e Vogël, Reçicën e Madhe, Xhepçishtin, Sellcën, Shipkovicën, Llacën e Saraqinën.

Kasami tha se në total, komuna e Tetovës dhe Qeveria po investojnë rreth 430 milionë denarë, ose mbi 7 milionë euro, për infrastrukturën bazë dhe ndërtimin e rrugëve moderne.

“Progresi që kemi arritur në këto 4 vjet nuk guxon të ndalet. Tetova vazhdon përpara me Kapitullin e Dytë të zhvillimit, edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm”, tha Kasami.