Gazetar: Avni Tahiri
As shiu nuk e lau papastërtinë e mbeturinave në Shkup. Kontejnerët e stërmbushur dhe deponitë pranë tyre edhe sot vështirësuan jetën e qytetarëve të cilët thonë se Shkupi kurrë nuk ka qenë më i papastër se para këtyre zgjedhjeve lokale ndërsa kërkojnë nga institucionet të angazhohen më shumë në normalizimin e kësaj situate të krijuar me mbeturinat.
“Për fat të keq kjo është, politika e bën të veten por duhet të ketë përgjegjësi dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi, kjo është e turpshme, Shkupi asnjëherë nuk ka qenë më i pa pastër se këtë vit. Mua nuk me intereson se a është drejtori i BDI-së, i LSDM-së, VMRO-së etj. Mua me intereson si qytetarë që i paguaj faturat rregullisht për higjienën komunale dhe ujë, kërkoj që dikush të mbaje përgjegjësi dhe derisa nuk ka përgjegjësi do të jetë kështu”, deklaroi një qytetare.
”Kjo pamja me mbeturinat është katastrofë, nuk di çfarë të them, nuk ka më keq”, tha një qytetar.
”Higjiena Komunale nuk funksionon aspak dhe ky nuk është faji i punonjësve por e Qytetit. Kjo është katastrofë, nuk blejnë mjete rezervë. Unë kam punuar në Parqe dhe Gjelbërim, pra nuk blejnë nga Qyteti i Shkupit mjete dhe për këtë arsye vjen deri tek kjo”, u shpreh një qytetar.
Edhe përtej gjendjes së rënduar në Shkup me mbeturinat, nga Ndërmarrje e Higjienës Komunale thonë se për shkak të sasisë së shtuar të mbeturinave komunale ndodhë që të ketë vonesa në mbledhjen e mbeturinave, por sipas tyre aktivitetet po zhvillohen në përputhje me dinamikën e parashikuar për grumbullimin. Nga ana tjetër, qytetarët vazhdimisht ankohen për deponitë e krijuara pranë pallateve ku ata jetojnë. /Alsat.mk
The post Reshjet e shiut kanë përkeqësuar edhe më tepër gjendjen me mbeturinat në Shkup appeared first on Alsat.