-Gjendja është alarmante. Nuk ka më kohë. Biznesi i vogël, i mesëm dhe i madh ka nevojë të dëgjohet, tha mes tjerash Mendi Qyra, kandidati i mbështetur nga VLEN për kryetar të komunës së Strugës. Qyra thotë se Struga ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe afaristët kanë nevojë për mbështetje.
“Mbështetjen time do ta keni maksimalisht, çfarë keni…në aspektin e ndërtimit, në aspektin e rregullimit, punës, problemet që mund të ndodhin”, tha Qyra në takim me një afarist.
Aleanca Kombëtare për Integrim mbrëmë mbajti takim me qytetarët e Strugës për të promovuar kandidiatin për kryetar komune Arsim Dalipi. Ai para të pranishmëve dha fjalën se do të jetë zëri i qytetarit, se do t’i qëndroj besnik çdo premtimi dhe do të punojë me zemër e me përgjegjësi për një Strugë më të rregullt, më moderne dhe me më shumë mundësi për të gjithë.
“Struga është zemra e shumë kulturave është vendi i bashkëjetesës i bujarisë, mirëpo është edhe vendi i premtimeve të parealizuara dhe i mundësive të humbura, prandaj mjaft, t’ia kthejmë Strugës zhvillimin dhe dinjitetin”, tha Arsim Dalipi, kandidiat i AKI-së për kryetar në komunën e Strugës.