Drita e ka nisur aventurën e saj në fazën e Ligës në Conference me barazim 1-1 në transfertë ndaj KuPS-it duke marrë pikën e parë historike në këtë fazë të kompeticionit.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen duke rrezikuar qe në minutën e parë me anë të Ruoppi, por Faton Maloku ishte në nivel të detyrës duke ia mohuar golin.
Në minutën e 11-të Drita dha shenjat e para me Arb Manajn që bëri një goditje në drejtim të portës së KuPS, por e cila nuk ishte aq e rrezikshme.
Rasti më ideal i pjesës së parë i takoi Dritës të cilët në minutën e 35-të patën një mundësi të artë shënimi me Manajn. Goditjen e bukur të sulmuesit kosovar e ndali për mrekulli portieri vendas, duke bërë që rezultati të mbetet i paprekshëm.
Pas një pjese të parë pa gola, të dy skuadrat ngritën ritmin e lojës në pjesën e dytë, ku për pasojë erdhën edhe golat. Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 74-të përmes Piotr Parzysek, por ky avantazh i tyre nuk zgjati shumë.
Drita ia doli të barazojë shifrat në minutën e 80-të përmes Albert Dabiqajt, i cili realizoi me kokë për të barazuar shifrat në 1-1. Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndryshim rezultati dhe të dy ekipet u desh të pajtoheshin me nga një pikë të fituar.
The post CONFERENCE LEAGUE: Drita shkëlqen në Finlandë, gol HISTORIK nga Dabiqaj (VIDEO) appeared first on Telesport.