Pjesa e parë e derbit Partizani-Tirana është mbyllur 0-2 për bardheblutë, ndeshje e vlefshme për javën e gjashtë të Superiores. Minutat e para ishin të kujdesshme për të dy ekipet.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 19-të, ku një top i gjatë i Soler për Falaye dhe sulmuesi nigerian mposht me kokë Alban Hoxhën, duke përfituar dhe nga një dalje e gabuar e portierit legjendar të të kuqve.

Në minutën e 28-të, Patsatsia pengohet brenda zonës nga Marku, arbitri kryesor i takimit, Eldorjan Hamiti, jep penallti për Tiranën. Sulmuesi gjeorgjian Patsatsia mposht Hoxhën dhe i jep avantazhin e dyfishtë Tiranës.

Nuk mungon nervozizmi në fushë sidomos nga lojtarët e të dy ekipeve, portieri i bardhebluve Tafas ndëshkohet me të verdhë. Në minutën e 40-të, trajneri i Partizanit bën një zëvendësim në sulm duke parë rezultatin, futet Skuka në vend të Qokthit.

Në fund të shtesës së pjesës së parë, të kuqtë patën një shans të mirë për të rrezikuar nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Skukës përfundon larg portës. Pjesa e parë mbyllet 0-2 për bardheblutë, falë dy gafave të dhuruara nga vetë futbollistët e Partizanit.

The post Pjesa e parë e derbit Partizani-Tirana flet për bardheblutë. Dy gafa fatale të të kuqve appeared first on Telesport.