Nga Ivan Zazzaroni*
Para se të shkruaj për Rabiot, ndryshe nga Allegri unë informohem, rishikova një intervistë mjaft të freskët të mesfushorit të Milanit, bërë nga Alessandro Matri në versionin e tij “Jimmy Fallon”, në Dazn. Asgjë tronditëse, të jemi të qartë. Të dy ishin ulur në tryezë në ‘Continassa’, të interesuar mjaftueshëm edhe për një rizoto me kërpudha, por gjithsesi ishte bisedë e këndshme. Rabiot nuk është tipi që flet lehtë.

Pas gjysmës së intervistës, 26 minuta gjithsej, Rabiot kishte theksuar kryesisht një temë: mentalitetin fitues të Allegrit. “Më pëlqen të kem një trajner të tillë, – thoshte francezi. – Max është ai që ta përsërit gjithmonë se edhe stërvitja është e rëndësishme për t’u rritur… Pikërisht me të u rrita, ai më dha vazhdimësinë”. Allegri e ka një prirje të dukshme për Rabiot; e deshi edhe 6 vite më parë te Juve “sepse ka nivel dhe është solid”.

E deshi, por më 2019, kur Adrien mbërriti realisht në Torino, Max nuk ishte më aty. Ishte shkarkuar. “Ishte Allegri që u takua me mua disa muaj më parë dhe më bindi, – kujton Rabiot, – vetëm se në fund të atij sezoni ai e la Juven dhe unë u gjenda me një trajner tjetër”. Ishte Maurizio Sarri “i cili në fillim nuk më aktivizonte, ndaj pyesja veten pse më kishin dashur kaq shumë për të më ulur më pas në stol…”

Dhe ja ku jemi, para Juve-Milan. Pas një viti me Marseille dhe De Zerbin trajner, Rabiot duket se është rritur edhe më shumë; ka më shumë personalitet dhe kontroll më të madh mbi lojën. Pikërisht soliditeti i francezit dhe pesha tekniko-taktike e Modric janë elementët kryesorë që e dallojnë këtë Milan nga i mëparshmi, ku Theo dhe Leao ishin liderë teknikë, por jo domosdoshmërisht të dhomës së zhveshjes.

Rabiot është, bashkë me Modric, lojtari të cilit Allegri i jep më shumë liri shprehjeje, sipas parimit aq të dashur për Dan Peterson: “Mos bëni atë që shkruaj, bëni atë që shihni”. Pastaj, le ta themi hapur, dikush që juventinët e quanin “kalë i çmendur”, si mund të mos kuptojë nga hipizmi? Këtë do ta shpjegoj herën tjetër për ata që nuk janë juventinë dhe për të painformuarit mbi “corto muso”.

* Drejtor i “Corriere dello Sport”

 

The post Juventusi e pagëzoi “kali i çmendur”; tani Rabiot është gati t’i bëjë gjëmën si kuqezi appeared first on Telesport.