Presidenti amerikan, Donald Trump e ka mirëpritur përgjigjen e Hamasit ndaj Planit të tij të Paqes në Lindje të Mesme, dhe i ka bërë thirrje Izraelit që “menjëherë t’i ndalë bombardimet në Gazë”. Tramp ka deklaruar se Izraeli duhet t’i ndalë menjëherë bombardimet në Gazë, për të mundësuar lirimin e pengjeve.
Hamasi ka thënë se është pajtuar me pjesën më të madhe të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës. Në një intervistë për televizionin Al-Araby me seli në Katar, zyrtari i Hamasit Osama Hamdan tha se Hamasi do të refuzonte administrimin e huaj të Rripit të Gazës
“… jemi gati të hyjmë në negociata të drejtpërdrejta për të zbatuar procesin e shkëmbimit dhe për të përgatitur kushtet në terren për këtë. Për palestinezët, çështja e hyrjes dhe administrimit të forcave të huaja në Rripin e Gazës është e papranueshme. Asnjë palestinez nuk e pranon këtë, përfshirë Hamasin dhe grupet e tjera….. Ne propozojmë që faza e parë të përfshijë një tërheqje izraelite, pas së cilës do të krijohet një komitet kombëtar palestinez i pavarur për të administruar Rripin e Gazës”, tha Osama Hamdan, Zyrtar i Hamasit.
Edhe palestinezët e kanë mirëpritur planin e presidentit amerikan.
“Duam t’i japim fund luftës me çdo mjet të mundshëm, sepse jemi të lodhur. Jemi të lodhur në çdo kuptim të fjalës. Asnjë popull nuk është më i lodhur se populli i Rripit të Gazës. Fatkeqësisht, askush nuk e ndjen shqetësimin tonë. Propozimi i fundit dhe përgjigja e Hamasit ishin pozitive, dhe propozimi i Trump është një propozim pozitiv”, tha një banor.
“Shpresoj që Hamasi ta përfundojë luftën, sepse ne jemi vërtet të lodhur dhe i gjithë populli është i lodhur. Sinqerisht, lufta nuk ka lënë asgjë prej nesh. Sa për mua, shtëpia ime, paratë e mia dhe gjithçka tjetër është shkatërruar. Shpresojmë që Hamasi të bjerë dakord sot dhe jo nesër. Shpresojmë që Hamasi ta përfundojë atë, sepse situata në Rripin e Gazës është bërë tragjike. Shpresojmë që vendet arabe do të bëjnë presion mbi Hamasin që t’i japë fund luftës”, shtoi një tjetër.
“Është e natyrshme që përgjigja të jetë pozitive. Duhet të ndalet gjenocidi, vrasjet, zhvendosjet, eksodi, uria, etja dhe mungesa e bukës. Duhet të jetë një përgjigje pozitive për hir të dy milionë e treqind mijë njerëzve”, theksoi një banor.
Nga ana tjetër zyra e Netanjahut ka thënë se Izraeli është gati për të zbatuar “fazën e parë” të planit të Trampit, si referencë për lirimin e pengjeve.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe ekipin e tij për t’i dhënë fund luftës, në përputhje me parimet e Izraelit, të cilat korrespondojnë me vizionin e Trumpit për përfundim të luftës”, thuhet në deklaratë. Megjithatë, aty nuk është përmendur kërkesa e Trumpit që Izraeli t’i ndalë sulmet në Rripin e Gazës. Autoritetet palestineze thanë se Izraeli i ka vazhduar sulmet, pavarësisht thirrjes së Trumpit.
Sipas planit të presidentit amerikan Tramp, Izraeli nuk guxon të aneksojë apo pushtojë Rripin e Gazës, ndërsa Hamasit nuk i lejohet të përfshihet në administrimin e Gazës në asnjë formë. Në plan ka hollësi edhe për rindërtimin e Gazës së shkatërruar nga lufta pothuajse dyvjeçare. Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës së nisur nga Izraeli për shkatërrim të Hamasit kanë vdekur më shumë se 66.000 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë./Alsat.mk
The post Presidenti amerikan, Donald Trump e ka mirëpritur përgjigjen e Hamasit ndaj Planit të tij të Paqes në Lindje të Mesme appeared first on Alsat.