
Transporti publik në Shkup i reduktuar. Pritje të gjata të qytetarëve pasi autobusët ose fare nuk kalojnë në linja të caktuara ose qarkullojnë në numër të pakët.
Autobusët nuk vihen në qarkullim për shkak të mungesës së karburantit ose janë të prishur.
Ndërkohë, transportuesit privat kanë problem me pagesat e detyrueshme ndaj tyre.
Në fund të ditës e pësojnë qytetarët me pritje të gjata ose duke kërkuar ndonjë mundësi alternative për të arritur në destinacionin që duan.
Qytetarët shprehen të dëshpëruar.
“Qytetarët presin shumë, nuk e kanë të lehtë. Kjo me të vërtetë është e tepërt.”, u shpreh një qytetare.
“Unë në mëngjes kam pritur mbi 20 minuta autobusin me numër 23. Dhe tani u ktheva me një fqinj me veturë, përderisa prisja 65-ën. Nuk kishte.”, tha një qytetar.
“Unë lëviz me veturë, nuk di çfarë t’u them, por nga ajo që ma thonë miqtë, është tmerruese. Kjo nuk ka qenë kështu pasi unë kam 66 vjet. Kjo që po ndodh është e paparë, dëshpëruese.”, u shpreh një qytetare.
“I shoh rrugës, të gjithë autobusët e prishur. Tani ishte një këtu, u prish dhe po pret.”, tha një qytetar.
“Situata është e keqe. Kjo duhet përmirësuar. Kështu nëse vazhdon njerëzit vetëm se nervozohen.”, u shpreh një qytetar.
Nga e hëna pritet që situata me transportin publik të jetë më e rënduar, pasi transportuesit privat kanë kërcënuar me bojkot të punës.
Aryse sipas tyre është borxhi i papaguar prej 170 milionë denarësh që ua ka Ndërmarja e Qarkullimit Publik. Operatorët privatë kanë thënë se do të presin deri të hënën nëse do t’i marrin fondet, në të kundërtën do t’i parkojnë autobusët e tyre plotësisht ose do të operonin në formë të reduktuar.
Por drejtori i NQP-së ka thënë se borxhi është dukshëm më i vogël dhe po zvogëlohet gradualisht, në pamundësi për ta shlyer përnjëherë.