Nga VMRO-DMPNE pyesin Prokurorinë Themelore Publike dhe kryeprokurorin Lubço Kocevski nëse ka ndërmarrë masa ndaj ish-ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski, pasi në media u publikua një bisedë mes djalit të pronarit të diskotekës “Pulse” dhe një vajze, ku u përmend emri i Spasovskit, përcjell TV21. Nga VMRO pyesin nëse Prokuroria po e mbron Spasovskin.
“A është e vërtetë që Oliver Spasovski ka telefonuar në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Shtip dhe ka kërkuar të “ndalen” policët në Koçan për të shpëtuar pronarin e diskotekës “Pulse”? Çfarë po fshehin Prokuroria Publike dhe Kocevski? Sipas informacioneve që kanë dalë në publik, të zbuluara nga mediat, po dalin në pah zbulime tronditëse dhe përfshirje e niveleve të larta të pushtetit të LSDM-së në rastin e punës ilegale të diskotekës Pulse. Konkretisht, mediat publikuan një bisedë telefonike midis djalit të pronarit të Pulse-it, Mihaillit, dhe një vajze me emrin Bojana. Nga kjo bisedë mund të nxirret përfundimi logjik se pushteti i LSDM-së e ka mbrojtur me kujdes pronarin e Pulse-it, dhe se në këtë kanë qenë të përfshirë edhe ministra. Sipas asaj që është publikuar në media, më 17 shkurt 2022, djali i pronarit, Dejan Jovanov, i njohur si Deko, Mihaill, i telefonon Bojanës dhe e njofton se Oliver Spasovski (ministri i Punëve të Brendshme) ka telefonuar në SPB-Shtip për të ndikuar në lidhje me diskotekën. Ai i thotë:
“Oliver Spasovski ka telefonuar në Shtip, në polici, për ne.” Më pas Bojana e pyet Mihaillin se pse ka telefonuar Oliver Spasovski, nëse është për të ulur gjobën, dhe për çfarë gjobe bëhet fjalë? Mihailli i thotë se kishte marrë informacion për një gjobë që do t’u vendosej nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), në shumën prej 40.000 eurosh, dhe se ndërhyrja kishte për qëllim që policia të mos i bezdiste më. “Ai i kishte thënë shefit të policisë në Koçan të vinte menjëherë nesër në bisedë informative te shefi për Maqedoninë Lindore do t’i ‘shkundin pak’ të dhj**** mirë,” përfundon Mihaill. Prokuroria Publike dhe Ljupço Kocevski duhet të sqarojnë nëse kanë hetuar këtë rast dhe nëse e kanë thirrur Oliver Spasovskin për bisedë informative, nëse është bërë ndonjë verifikim në policinë e Shtipit dhe Koçanit, dhe nëse ka ekzistuar një ndërhyrje e tillë nga ana e tij. A kanë vepruar Prokuroria Publike dhe Ljupço Kocevski sipas ligjit, apo po e fshehin dhe mbrojnë Oliver Spasovskin?”, thonë nga VMRO-DPMNE.