Gazetare: Ajnur Bafqari

Kosova voton për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të kuvendeve komunale. Qytetarët realizojnë të drejtën e tyre të votës në atmosferë kryesisht të qetë dhe procesi në përgjithësi rrjedh pa pengesa. Prokuroria ka njoftuar se për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka apeluar për proces të lirë zgjedhor. Tha se pret reagime nga faktori ndërkombëtarë, për ndërhyrjet që Serbia po i bën në procesin zgjedhor në Kosovë.

“Sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore, sa më i rregullt dhe i lirë procesi zgjedhorë, aq më e fortë do të jetë demokracia jonë”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se sot është një ditë e rëndësishme për të vendosur se kush do të jetë në krye të komunave, ku merren shërbimet kryesore për shkollat, ujin dhe infrastrukturën.

“Sot është një ditë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme për komunat tona, për çerdhen, shkollën, ujin, shëndetin, shërbimet dhe infrastrukturën në lagjet e qyteteve dhe fshatrave. Përveç qytetarë të Kosovës jemi edhe banorë të komunës”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër.

Qytetarët presin që në këto zgjedhje të fitojnë kryetarë që do të angazhohen për të mirën kolektive.

Anketë me qytetar

“Diçka ma mirë për qytet mu rregullu, pak parqet, pak higjiena pastërtia, kallaballëku pak mu heq, kolonat mu heq”.

“Ne po presim mu bë diçka më mirë, shpresojmë Zoti ta bëjë mirë, ”

“Votuam, me thënë të drejtën pres me pas ndryshime, por megjithatë po më duket mbetet e njëjta.. ”

“Presim diçka më mirë, nëse bëhet më mirë. ”

Edhe në Mitrovicën e Veriut, qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Edhe pse votimi i organizuar është jo i ligjshëm, Lista Serbe në mënyrë të organizuar iu drejtua qendrave të votimit, në shkollën teknike në Veri të Mitrovicës.

Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale për 38 komuna të Kosovës. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote. Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje. Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur./Alsat.mk

 

The post Në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale, procesi zhvillohet kryesisht pa probleme appeared first on Alsat.