Tragjedia në diskotekën “Pulse” në Koçan sot u gjend në qendër të një përplasjeje të ashpër politike, pasi VMRO-DPMNE, duke iu referuar bisedave telefonike të publikuara, e akuzoi ish-ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski për përfshirje dhe mbrojtje të pronarit të diskotekës. Spasovski i mohoi menjëherë akuzat, duke i quajtur ato një përpjekje të dëshpëruar të pushtetit për ta keqpërdorur tragjedinë dhe për të fshehur përfshirjen e funksionarëve të vet. Në një konferencë për media, Viktorija Andonovska nga VMRO-DPMNE paraqiti pretendime nga, siç tha ajo, një bisedë telefonike e publikuar nga 17 shkurti 2022, midis djalit të pronarit të “Pulse” dhe një vajze të quajtur Bojana.
“Nga biseda nxirret përfundimi logjik se pushteti i LSD-së me mjeshtëri e kishte mbrojtur pronarin e “Pulse”, dhe se në këtë ishin të përfshirë edhe ministra. Sipas asaj që është publikuar në media, më 17 shkurt 2022, djali i pronarit të “Pulse”, Dejan Jovanov – Deko, Mihail, telefonon një vajzë të quajtur Bojana dhe e njofton se Oliver Spasovski (ministri i Punëve të Brendshme) ishte telefonuar në SPB Shtip për të ndikuar në favor të diskotekës. Dhe atë me fjalët: “Oliver Spasovski është telefonuar në Shtip, në polici, për ne.” Pas kësaj Bojana e pyet Mihailin pse ishte telefonuar Oliver Spasovski, nëse për të ulur gjobën dhe për çfarë gjobe bëhet fjalë”, tha Viktoria Andonovska nga VMRO-DPMNE.
Për këtë arsye, VMRO-DPMNE publikisht e pyeti Prokurorinë Publike dhe prokurorin Lupço Kocevski nëse e kanë hetuar këtë rast, nëse e kanë thirrur Spasovskin për bisedë dhe nëse “po e fshehin dhe e mbrojnë atë”.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, tani deputet – Oliver Spasovski, menjëherë pas kësaj i mohoi ashpër këto pretendime. Spasovski reagoi me kundërakuza, duke pohuar se kjo është “një përpjekje e dëshpëruar e VMRO-DPMNE-së për keqpërdorimin e fundit të tragjedisë në Koçanë për qëllime politike”.
“I mohoj me ashpërsi gënjeshtrat dhe manipulimet që i përhap VMRO-DPMNE. I hedh poshtë si të pavërteta tërësisht. Kjo është një shembull klasik i manipulimit të dëshpëruar. Asnjëherë, në asnjë moment, nuk jam telefonuar për të penguar ndonjë kontroll – përkundrazi, fakti që ka pasur kontrolle kudo është dëshmia më e fortë se as nuk kam ndikuar, as që ka pasur ndonjë përpjekje për këtë. Këto gënjeshtra që i përhap pushteti janë përpjekje e dëshpëruar e VMRO-DPMNE-së për keqpërdorimin e fundit të tragjedisë në Koçan për qëllime politike, në një moment kur opinioni tashmë e di se pikërisht funksionarët e tyre, nga të gjitha nivelet e pushtetit, kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në rastin “Pulse” dhe tani janë të mbrojtur”, tha Oliver Spasovski, ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Prokuroria e ka miratuar plotësisht aktakuzën dhe së shpejti pritet të caktohet seanca e parë gjyqësore. Në të njëjtën kohë, familjet e viktimave të zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan kanë paralajmëruar se do të fillojnë me bllokada njëorëshe derisa të nisë procesi gjyqësor.