Mundësia për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilën kryeministri Hrisitjan Mickoski e përmendi kalimthi në një fjalim në Forumin e Biznesit në Strumicë disa ditë më parë, i ngrohu shpresat e koalicionit AKI. Prej andej vazhdimisht përsëritin se pas zgjedhjeve lokale, në pranverë, duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme. Për këtë foli edhe Skender Rexhepi, në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë.

“Unë besoj thellë se pas zgjedhjeve lokale Aleanca Kombëtare për Integrim do të fitojë në të gjitha komunat dhe me këtë shteti do të jetë i detyruar të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Presioni qytetar në shtet do ta detyrojë shtetin të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare dhe atëherë kohezioni mes pushtetit lokal dhe atij qendror do të jetë shumë më lehtë i zbatueshëm”, deklaroi Skender Rexhepi.

Por kësaj i kundërvihen fuqishëm nga VLEN-i. Izet Mexhiti nuk pret zgjedhje të parakohshme.

“Duan t’i motivojnë rrejshëm aktivistët e tyre se pas zgjedhjeve lokale do të ketë zgjedhje të parakohshme. Unë vlerësoj – dhe në bisedë edhe me kryeministrin dhe me partnerët e koalicionit – se Qeveria ka legjitimitet, ka numra, ka program, i ka detyrat përpara vetes dhe mendoj se është e panevojshme të bëhen shpenzime shtesë të mëdha”, tha Izet Mexhiti.

Kryeministri Mickoski, edhe pse vazhdimisht thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë të nevojshme dhe se duhet të realizohet ajo që është planifikuar në program, megjithatë në Forumin e Biznesit në Strumicë, javën e kaluar, përmendi një mundësi të tillë.

HRISTIJAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
– VMRO-DPMNE është favorite dhe koalicioni do të ketë një fitore të fortë, më të madhe – të paktën sipas fjalëve – se ajo e vitit 2021, dhe është logjike të shkaktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare për të siguruar një mandat të ri katërvjeçar. Nëse e shohim këtë si një vendim politik, do të pajtohesha, por nëse e shohim nga logjika shtetërore, atëherë mendojmë ndryshe.

Nënkryetarja e LSDM-së, Kaja Shukova, në emisionin “Click Plus” në TV21 tha se janë të përgatitur për zgjedhje të parakohshme dhe se gjendja në parti është e konsoliduar.

KAJA SHUKOVA – NËNKRYETARE E LSDM-së
– Mund të them me përgjegjësi se ne jemi të përgatitur për zgjedhje të parakohshme parlamentare kurdo që të jenë. Mbështetja është gjithnjë e më e madhe, dhe nëse do të jetë mars apo prill – do të shohim. E rëndësishme është që LSDM është e gatshme.

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare hapet shpesh herë, por megjithë deklaratën e kryeministrit Mickoski për një mundësi të tillë, ai shpeshherë siguron se ato nuk janë të nevojshme.