Katy Perry dhe Justin Trudeau po e bëjnë publike romancën e tyre.
Në disa fotografi të siguruara nga Fox News Digital, çifti i ri është parë duke shkëmbyer përkëdhelje dhe përqafime në jahtin e Perry-t, Caravelle, pranë brigjeve të Santa Barbara-s javën e kaluar.
Në njërën nga fotot, ish-kryeministri kanadez shihet duke i dhënë një puthje në faqe këngëtares së “Dark Horse”, ndërsa e tërheq pranë vetes për një përqafim. Në një tjetër, Perry – e veshur me rroba banje me ngjyrë të errët – shihet e përqafuar me Trudeau-n, ndërsa 53-vjeçari vendos dorën në pjesën e pasme të saj.
Një përfaqësues i Perry-t nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Fox News Digital për koment.
Çifti u pa për herë të parë në korrik, duke darkuar në restorantin Le Violon në Montreal, sipas pamjeve të siguruara nga TMZ. Një dëshmitar tha për median se ata shijuan kokteje dhe ndanë disa pjata bashkë, përfshirë një me mish gaforre.
Gjatë darkës, çifti ishte nën vëzhgimin e rojeve të sigurisë, dhe pas saj, ata kaluan nëpër kuzhinë për të falënderuar stafin për shërbimin.
Pak ditë më vonë, Trudeau
mori pjesë në koncertin e këngëtares së “Teenage Dream”, i cili ishte i shitur plotësisht në Bell Centre të Montrealit.Në foto dhe video të shumta të postuara në rrjetet sociale, Trudeau – i shoqëruar nga vajza e tij 16-vjeçare, Ella-Grace – shihej i buzëqeshur dhe i entuziazmuar teksa ndiqte performancën e Perry-t.
Në një video tjetër, ai shihej duke kënduar me këngën e saj të vitit 2013, “Dark Horse.”
“Ky është vërtet momenti më i lumtur që e kemi parë pas shumë kohësh,” shkroi një fans në X.
“Udhëheqës botëror ditën, ëndërrimtar adoleshent natën,” shtoi një tjetër.
Romanca e re vjen pas ndarjes së fundit të Perry-t nga Orlando Bloom, me të cilin ajo ka një vajzë katërvjeçare, Daisy Dove.
Perry dhe ish-i fejuari i saj konfirmuan ndarjen në korrik, pas më shumë se një dekade së bashku.
“Për shkak të interesit të madh dhe diskutimeve rreth marrëdhënies mes Orlando Bloom dhe Katy Perry-t, përfaqësuesit kanë konfirmuar se gjatë muajve të fundit, Orlando dhe Katy janë përqendruar në transformimin e marrëdhënies së tyre për t’u fokusuar tek bashkëprindërimi,” tha një përfaqësues i ish-çiftit për People.
“Ata do të vazhdojnë të shihen së bashku si familje, pasi prioriteti i tyre kryesor ka qenë – dhe gjithmonë do të mbetet – rritja e vajzës së tyre me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë.”
Në atë kohë, një burim i tha People se Perry dhe Bloom kishin jetuar “në një ishull stresi” për muaj të tërë.
“Katy dhe Orlando kanë përjetuar prej vitesh të njëjtat probleme,” tha burimi. “Të dy kanë pasur shumë angazhime, çka e ka bërë të vështirë të gjejnë kohë për njëri-tjetrin dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet. Kur mungon komunikimi, marrëdhënia bie në një pikë të ulët.”
“Ngandonjëherë dashuria nuk mjafton për t’i mbajtur bashkë dy njerëz që kanë stile dhe qasje të ndryshme ndaj jetës,” shtoi një tjetër burim. “Kjo mund të errësojë edhe vetë dashurinë.”