Gazetar: Bashkim Sulejmani

Dy inspektorë të sektorit për Antidrogë dhe Armëve në Tetovë, dyshohen për pengim të drejtësisë. Pas kontrollit të brendshëm në MPB doli në pah se dy inspektorët kanë ndërhyrë në një rast ku dy persona ishin arrestuar për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogës.

“Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, i Hetimeve Kriminalistike dhe i Standardeve Profesionale pranë Ministrisë se Punëve të Brendshme, deri ne Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Njësi e Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore, ka ngritur kallëzim penal kundër dy inspektorëve të lartë të policisë së krimit pranë SPB Tetovë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “pengim i drejtësisë” e dënueshme sipas nenit 368-a të Kodit Penal”, tha Fatmir Rexjepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Sipas policisë, inspektori J.N. i ka lejuar inspektorit O.S., i cili është edhe prindi i njërit prej të arrestuarve, që është kapur me kokainë kohë më parë, të ketë qasje në dokumentacionin zyrtar, t’i shoqërojë të arrestuarit dhe të ndërhyjë në procedurë. Gjithashtu, është lejuar që telefoni i sekuestruar i njërit prej të dyshuarve të përdorej për fshirje dhe shkatërrim të provave.

Deri tek inicimi i padisë për dy inspektorët e lartëpërmendur, ka ardhur si pasojë e lejimit të inspektorit me iniciale J.N, i ka lejuar kolegut të tij me iniciale O.S, që të ketë qasje tek dokumentacioni dhe i ka mundësuar të njëjtit që të bart dokumentacionin nga një zyrë tek një zyrë tjetër, që ngre dyshimet për manipulim të të dhënave për personin e arrestuar për trafikim droge, i cili dyshohet se është djali i njërit nga inspektorët e lartëpërmendur”, njofton UP Bashkim Sulejmani, Gazetar.

Ndaj inspektorëve do të iniciohet procedurë disiplinore dhe largimi i tyre nga vendi i punës teksa zgjat procedura hetimore dhe gjyqësore./Alsat.mk

 

The post Kallëzim penal ndaj dy inspektorëve pranë SPB-Tetovë, kanë kryer veprën penale pengim i drejtësisë appeared first on Alsat.