Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, është dënuar me dënim me kusht prej dy vitesh për emërimin e paligjshëm të një drejtori në shkollën “Zini Hani” në Veleshtë dhe një tjetër në shkollën “Vëllezërit Milladinovi”, si dhe me një gjobë prej 2,500 eurosh.
Dënim me kusht është shqiptuar edhe për të akuzuarën e parë, Egzona Shei, e cila ushtronte detyrën e drejtore e përkohshme me dokumente të falsifikuara.
Gjyqtari i shkallës së parë, Jordan Jovanov, deklaroi se nëse të akuzuarit përsërisin veprën penale brenda dy vitesh, do të përballen me një vit burg efektiv. Ai theksoi se Shei, e cila filloi të punonte në shkollë si absolvente, kishte punuar si praktikante për katër vite, ndërkohë që kushti për emërimin e një drejtori kërkonte pesë vjet përvojë.
“Dokumentet përmbajnë elemente të veprës penale ‘përdorim të dokumenti me përmbajtje të rreme’. Kjo nuk do të thotë që deklarata ishte e rreme, por që ajo që ishte shkruar nuk përputhej me të vërtetën. Egzona, e cila filloi punësimin si absolvente, punoi si praktikante për katër vjet. Në të njëjtin muaj kur diplomoi, ajo u zgjodh drejtore e përkohshme dhe dha provimin profesional të mësuesit kur filloi mandatin e saj të tretë si u.d. drejtore”, tha gjyqtari Jovanov.
Vendimi ka ngjallur pakënaqësi tek prokurori publik Xhemal Lloga dhe mbrojtësi i Merkos, Igor Petkoski, të cilët paralajmëruan ankesë ndaj aktvendimit.
“Nuk prisja një dënim në para, por duke pasur parasysh se Merko ishte dënuar më parë me kusht për rastin e parë, për të dytin ishte i nevojshëm një dënim efektiv me burg”, tha prokurori Lloga.
Merko ndodhet gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përzierjes së tij në raste korrupsioni.