Bashkimi Europian do të hapë dy “fabrika të inteligjencës artificiale”, si qendra për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor. Këtë e bëri të ditur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dje në fjalimin e saj në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë. Ajo njoftoi gjithashtu se i gjithë rajoni do të mbulohet nga një infrastrukturë e re dixhitale e shpejtë, e cila do t’u lejojë kompanive nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të lidhen drejtpërdrejt me qendrat evropiane për inteligjencën artificiale.
“Do të hapim fabrika (qendra) për inteligjencën artificiale edhe për Ballkanin Perëndimor. Do të fillojmë me dy “antena”, njëra në Maqedoninë e Veriut dhe tjetra në Serbi, si pjesë e një iniciative më të gjerë për të përfshirë rajonin në zhvillimin teknologjik të Evropës. Kjo do t’u lejojë kompanive në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të lidhen me këto fabrika. Kjo do të thotë që kompanitë tuaja do të jenë në gjendje të hyjnë në infrastrukturën evropiane për inteligjencën artificiale pikërisht këtu në rajon”, tha Ursula von der Leyen.
Kryeministri Hristijan Mickoski përshëndeti deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian. Tha se është projekt që e udhëheq qeveria, respektivisht Ministria për Transformim Digjital.
“Dhe kjo është diçka për të cilën jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur. Rreth 5 milionë euro bashkëfinancim, praktikisht ekspertët tanë, studentët tanë, profesionistët do të mund t’i shfrytëzojnë dhe thithin resurset që i ka vetë BE-ja dhe është mirë që presidentja Von der Leyen e paralajmëroi këtë, sepse bëhet fjalë për dy projekte, njëri është projekt që e ka fituar Maqedonia, ndërsa tjetri është projekt që e ka fituar Serbia. Deri tani i kemi shfrytëzuar përvojat dhe resurset e vendeve fqinje, tani do të kemi qendrën tonë që do të merret me inteligjencë artificiale”, deklaroi Hristijan Micksoki.
Programi AIFA është zgjeruar në shtetet anëtare të BE-së – Belgjikë, Irlandë, Qipro, Letoni, Maltë, Sllovaki dhe Hungari, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Islandë, Moldavi, Serbi dhe Zvicër. KE njoftoi se gjashtë fabrika të reja të inteligjencës artificiale i janë bashkuar infrastrukturës evropiane të inteligjencës artificiale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mbuluar nga rrjeti në 19 në 16 shtete anëtare të BE-së.