Gazetar: Suad Bajrami

Garuesve të zgjedhjeve lokale në Maqedoni u kanë mbetur edhe disa orë për t’i bindur qytetarët për të mbështetur programet apo vizionet e tyre për menaxhimin me komunat në katër vitet e ardhshme, pasi në mesnatë mbaron fushata njëzetditore dhe fillon heshtja zgjedhje e cila do të zgjatë deri në mbylljen e kutive të votimit, respektivisht ditën e diel në ora 19:00.

Gjithsej në këto zgjedhje ka pasur 10.490 kandidatë të partive apo të pavarur për kryetar komunash dhe këshilltarë, në 80 njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe kryeqytetin.

Në fushatë, krahas premtimeve dhe oferta për zgjidhjen e problemeve komunale të qytetarëve, u prekën tema dhe çështje me karakter etnik, por edhe kombëtar, si nga blloku politik shqiptar ashtu edhe maqedonas.

Aktivistja Diana Tahiri nga Civil në emisionin Gjurmët në Alsat, theksoi që temat etnike hapen me qëllim që të ndizet patriotizëm të rrejshëm.

“Politikanët sidomos ata që janë moti në politikë shumë mirë e dinë se ku ndezin qytetarët, domethënë ndezin në patriotizëm. Patriotizëm nuk është ta mbash një flamur ose të bërtasësh parulla kundër oponentit tjetër. Nacionalizmi është i pranishëm në fushata zgjedhore. Mirëpo ka edhe tani e shohim brenda etnive, do të thotë ka trazira shumë intraetnike, të vetët me të vetët. Shqiptarët me shqiptarët, maqedonasit me maqedonasit, por kur të vjen puna më e madhe atëherë bëhen dy palët, njëra kundër tjetrës që kur të mbarojnë zgjedhjet, ajo krejt të shuhet”, tha Diana Tahiri, aktiviste e CIVIL.

Krahas këtyre temave, një pjesë e garuesve përdorën edhe gjuhë të papërshtatshme duke i veshur njëri tjetrit cilësi të kafshëve dhe shpezëve, duke akuzuar për vrasje e tradhti./ Alsat.mk

The post Nga kafshët e shpezët deri të vrasja e tradhtia – Sonte mbaron fushata zgjedhore appeared first on Alsat.