Dhjetë fluturime të reja pritet t’i lidhin udhëtarët e Maqedonisë me Evropën dhe Azinë, njofton TAV Maqedonia. Nga fundi i tetorit, fillon orari dimëror i fluturimeve 2025/26, me të cilin aeroportet e Shkupit dhe Ohrit do të kenë destinacione të reja dhe linja të rinovuara.
“Orari dimëror i fluturimeve për vitin 2025/26 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit përfshin fluturime të rregullta dhe charter, konkretisht 49 destinacione të rregullta që do t’i shërbejnë 17 kompani ajrore dhe 13 destinacione charter që do t’i operojë një kompani ajrore. Përveç 10 destinacioneve të reja, të cilat do të jenë një freskim i vërtetë në këtë orar dimëror, nuk ka ndryshime të mëdha krahasuar me oraret e dimrit të mëparshëm”, tha Nedzhat Kurt, Drejtor i Përgjithshëm i TAV Maqedonia.
Mes fluturimeve më të pritura janë linjat e reja për Bari, Stokholm dhe Bazel, të cilat fillojnë më 27 tetor. më 28 tetor, Shkupi për herë të parë do të lidhet me Madridin, dhe përsëri do të rivendoset fluturimi drejt Larnakës. Siç është njoftuar, më 15 dhjetor duhet të fillojnë fluturimet për Pragë dhe Këln. Në fund të marsit 2026, sipas njoftimeve, Wizz Air do të rikthejë linjën Shkup–Budapest dhe do të ofrojë një të re drejt Napolit, ndërsa Ohri do të ketë lidhje me Milano. Destinacioni i dhjetë i ri është Gjeneva, të cilën EasyJet do ta rinovojë më 3 nëntor.
Drejtori i Përgjithshëm i TAV Maqedonia, Kurt, thotë se ekipi tashmë po negocion me kompanitë ajrore për linja direkte me Danimarkën, Finlandën dhe Lindjen e Afërt. Paralelisht, po përgatitet edhe një lidhje e zgjeruar me Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.