Izet Mexhiti do të jetë kryetar i Komunës së Çairit për 4 vitet e ardhshme. Kandidati i koalicionit Vlen, dali fitues që në rrethin e parë përballë kundërkandidatit të Aleancës për Integrim Kombëtar, Bujar Osmani. Sipas rezultateve të shpallura, Mexhiti ka siguruar fitore me një diferencë rreth 3500 vota ndaj rivalit të tij.
Në fjalimin e tij Mexhiti tha se Çairi nuk votoi vetëm për një emër apo një parti, por për një ndryshim të thellë politik mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Çairi sonte dëshmoi jo vetëm për nderin e tij por e mbrojti edhe nderin e gjithë shqiptarëve. Fitorja jonë këtu nuk është vetëm fitore personale e Izet Mexhitit, as vetëm e Vlenit, por është fitore e gjithë shqiptarëve. Është fitore e një klase politike që erdhi në skenë për ndryshim, që solli ndryshim dhe vazhdon të bëjë ndryshimin”, tha Mexhiti.
Nga ana tjetër, kandidati i AKI-së, Bujar Osmani, pranoi rezultatin duke uruar Mexhitin, megjithëse vlerësoi se fushata nuk ishte e barabartë.
“Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë as e ligjshme në çdo aspekt, por unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata si kjo.
Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme”, shkroi Osmani.
Fitorja e Izet Mexhitit në Çair konsiderohet një ndër rezultatet më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve lokale, duke pasur parasysh peshën politike dhe simbolike që kjo komunë ka për elektoratin shqiptar në vend.